Autoritetet vendore në qarkun e Korçës raportojnë stabilizim të situatës në pjesën më të madhe të territorit pas reshjeve intensive të ditëve të fundit. Ndërhyrjet më të fokusuara vijojnë në Bashkinë Maliq, ku ekipet e emergjencave dhe strukturat teknike po punojnë pa ndërprerje për rikthimin e normalitetit.
Në aksin rural Lozhan–Mesmal, mjetet e rënda vijojnë punën për largimin e inerteve të depozituara mbi shtratin e rrugës, duke lehtësuar qarkullimin dhe rrezikun për bllokime të mëtejshme. Paralelisht, po punohet intensivisht për mbylljen e çarjes në argjinaturën e lumit Devoll, e cila konsiderohet ndër pikat më kritike të zonës, për shkak të rrezikut që paraqet për tokat bujqësore dhe banesat pranë.
Në bashkitë e tjera të qarkut nuk janë raportuar problematika të reja, ndërsa ndërhyrjet në zonat e prekura ditët e fundit po vijojnë me ritme të qëndrueshme.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSH), Drejtoria Qendër–Lindje, aktualisht nuk ka akse të bllokuara në territor. Në segmentin rrugor Qafë Plloçë – Qukës, kontraktori vazhdon punën për pastrimin e inerteve nga shtrati i rrugës, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt.
Nga ana tjetër, fideri energjetik Vithkuq – NST Rehovë është pjesërisht në funksion. Aktualisht, rreth 50 abonentë mbeten pa energji elektrike, ndërsa ekipet përkatëse janë në terren për të rikthyer furnizimin në kohën më të shkurtër të mundshme.


