Prefektura e Qarkut Korçë ka bërë me dije, se nga raportimet e deritanishme të strukturave përgjegjëse të bashkive, situata në territor paraqitet e qëndrueshme dhe nuk janë evidentuar problematika të reja. Autoritetet lokale vijojnë punën për normalizimin e kushteve dhe garantimin e sigurisë së komuniteteve në zonat që kanë paraqitur vështirësi ditët e fundit.
Në Bashkinë Kolonjë, gjendja e rezervuarëve vlerësohet si stabile. Gjatë 24 orëve të fundit është ndërhyrë me ekskavator në argjinaturën e përroit të Shtikës dhe Bezhanit, për të parandaluar dëmtime të mëtejshme nga rrjedhjet e mundshme. Në fshatin Gostivisht është punuar me fadromë për largimin e dherave të rrëshqitura që pengonin qarkullimin, ndërsa në zonën e urës së Qinam vijojnë punimet për përmirësimin e infrastrukturës. Gjithashtu, në fshatin Starje është kryer pastrimi i kanaleve të ujërave duke u asistuar nga fadroma dhe punëtorë në terren.
Edhe në Bashkinë Maliq puna vijon intensivisht në argjinaturën e lumit Devoll, ku po vendosen inertet pranë zonës së urës për të forcuar mbrojtjen e argjinaturës. Pas testimit të rrugës, pritet të nisë transporti i inerteve drejt zonës ku është konstatuar çarja. Në aksin rrugor Lozhan–Mesmal, ekskavatori i madh është angazhuar për hapjen e rrugës dhe zhbllokimin e qarkullimit.
Në aspektin e furnizimit me energji elektrike, OSHEE ka informuar se të gjithë fiderat janë funksionalë dhe shpërndarja e energjisë për abonentët është normale, pa ndërprerje.
Autoritetet e qarkut theksojnë se mbeten në komunikim të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse dhe në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm, deri në normalizimin e plotë të situatës në të gjitha zonat e prekura.


