Prefektura e Qarkut Korçë njofton se situata në territor është nën kontroll pas reshjeve të ditëve të fundit. Institucionet vendore kanë ndërhyrë me punonjës dhe mjete të specializuara për normalizimin e zonave të prekura, pastrimin e inerteve dhe sistemimin e rrugëve të dëmtuara, ndërsa puna në terren vijon për rikthimin e plotë të funksionalitetit.
Në bashkinë Korçë janë pastruar urat, pritërit dhe materialet e sjella nga reshjet, si dhe është rihapur segmenti rrugor Lekas–Mazrek. Megjithatë, rruga Lekas–Denas mbetet ende e bllokuar.
Në Kolonjë, ndërhyrjet po kryhen me fadrome në rrugën rurale të fshatit Leshnjë. Aksi Lubonjë–Rehovë–Korçë është riparuar dhe aktualisht është i kalueshëm. Të tjera segmente rrugore do t’i nënshtrohen verifikimit teknik gjatë javës së ardhshme.
Në Maliq, aksi Tre Urat–Velçan–Mesmal është i hapur për qarkullim, por janë konstatuar dëmtime që kërkojnë ndërhyrje afatgjata. Në fshatin Desmirë është dëmtuar ura këmbësore, ku janë marrë masa të përkohshme për lëvizjen e banorëve, ndërsa kërkohet ndërtimi i një ure të re. Probleme në infrastrukturë janë vërejtur edhe në fshatrat Gjinikas dhe Osojë të njësisë administrative Moglicë.
Sipas ARRSH-së, qarkullimi rrugor është normal në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, si dhe në segmentet e Kontratës nr.1 Librazhd–Sebisht. Lëvizja zhvillohet pa problematika edhe në akset K/Boboshticë–Dardhë, K/Lapidari Podgorie–K/Podgorie–Liqenas, Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras.
OSHEE raporton se të gjithë fiderat janë në funksion dhe nuk janë shënuar probleme në furnizimin me energji elektrike.
Në bashkinë Pogradec situata paraqitet e stabilizuar, ndërsa po vijon procesi i verifikimit dhe dokumentimit të dëmeve. Në Pustec po kryhet pastrimi i përroit të Goricës, ndërsa në Devoll ekipet në terren po punojnë për sistemimin e dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet.
Prefektura bën të ditur se situata në rang qarku është nën kontroll dhe institucionet po vijojnë punën me gatishmëri të plotë. Në rast të zhvillimeve të reja, do të ketë informime të mëtejshme.


