Varietetet autoktone të rrushit, si Muskat Kanell, Gëms dhe veçanërisht Serina e Bardhë, po marrin jetë të re në Pogradec falë projektit TYPIC-AL, një program i financuar nga Qeveria Italiane përmes AICS dhe i zbatuar nga CIHEAM Bari, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë.
Ky projekt ka bërë të mundur identifikimin, mbrojtjen dhe rikthimin e varieteteve të rralla të rrushit vendor, duke u dhënë fermerëve mundësi reale zhvillimi përmes financimit të makinerive bujqësore moderne dhe pajisjeve teknologjike të avancuara. Këto mjete rrisin efikasitetin në punimin e tokës, kujdesin ndaj vreshtave dhe përpunimin e rrushit, duke orientuar prodhimin drejt standardeve të BE-së.
Një aspekt kyç i projektit është krijimi i strukturave bashkëpunuese mes fermerëve (shoqëri bujqësore), duke ulur kostot e prodhimit, ndarë teknologjinë dhe përfituar nga trajnimet profesionale të ofruara nga ekspertët e CIHEAM Bari dhe Ministrisë së Bujqësisë. Krijimi i SHBB Grabovicë konsiderohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit të fermerëve për të gjitha llojet e produkteve bujqësore.
Ky projekt përfaqëson një model efektiv bashkëpunimi midis institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke riafirmuar angazhimin e Italisë, CIHEAM Bari dhe Ministrisë së Bujqësisë për të mbështetur fermerët e Pogradecit, ruajtur biodiversitetin dhe ndërtuar një bujqësi më konkurruese dhe të qëndrueshme.


