Korça hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt zhvillimit urban, kulturor dhe turistik. Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, njoftoi nisjen e punimeve për zbatimin e një projekti madhor strategjik, të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili synon ta kthejë qytetin në një qendër të madhe eventesh me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale.
Projekti parashikon ndërtimin e hapësirave moderne për aktivitete kulturore, artistike dhe sociale, si dhe infrastrukturë të posaçme për organizimin e koncerteve dhe festivaleve të përmasave të mëdha, në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Këto investime pritet t’i japin Korçës një dimension të ri në organizimin e eventeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është transformimi i zonës së ish vaskave të peshkut, pjesë e Polit të Jugut, në një qendër funksionale gjatë gjithë vitit. Projekti përfshin gjithashtu hapësira për kampera dhe parkim, si dhe ambiente të dedikuara për studio të industrive kreative, duke krijuar një pol të ri zhvillimi ekonomik dhe social, unik në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon.
Ky investim konfirmon vizionin e Bashkisë Korçë për një qytet modern, të hapur ndaj kulturës, turizmit dhe inovacionit, duke e vendosur Korçën gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve të rëndësishme të eventeve në vend.


