Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar lidhur me zhvillimet në seancën e sotme parlamentare, duke theksuar se Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një hapësirë debatesh politike, por institucioni ku fjala dhe sjellja e deputetëve duhet të pasqyrojnë përgjegjësi, etikë dhe respekt institucional.
Peleshi nënvizoi se çdo sjellje që shkel rregullat e funksionimit të Kuvendit, cenon dinjitetin e institucionit dhe dëmton besimin e qytetarëve tek përfaqësimi i tyre. Sipas tij, detyrimi i klasës politike është bashkëpunimi për zgjidhje në të mirë të vendit dhe zhvillimi i një dialogu serioz, larg kaosit dhe përçarjes.
“Interesi i shtetit duhet të qëndrojë mbi çdo interes politik apo partiak. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake,” theksoi Peleshi.
Ai shtoi se vetëm duke vendosur shtetin mbi partinë mund të ndërtohet një Shqipëri më e fortë për brezat që vijnë, duke nënvizuar se respekti për Kuvendin është respekt për Republikën dhe për qytetarët.
Në reagimin e tij, kryetari i Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe shërbimet e Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë e treguar në kryerjen e detyrës.


