Xhensil Shkëmbi
Ndryshimet klimatike nuk mund të përballohen vetëm me pastrimin e kanaleve ekzistuese kulluese nga bashkitë. Dimrat e rradhës bëjnë të detyrueshëm një monitorim më të mirë hidrologjik dhe bashkëpunim më të ngushtë mes bashkive Korçë-Maliq dhe institucioneve në varësi të Ministrisë së Bujqësisë për të përballuar sfidat e reja.
Në ditët e para të janarit 2026, reshjet intensive sollën përmbytje në një pjesë e konsiderueshme të fushës së Korçës. Fshati Shamoll ishte një nga zonat më të prekura ku uji hyri në banesa, dëmtoi rezervat ushqimore të bagëtive dhe përmbyti sipërfaqe të tëra toke bujqësore. Për banorët e këtij fshati, kjo nuk ishte një situatë e pazakontë, por një problem që përsëritet sa herë që ka reshje intensive dhe kanalet nuk i përballojnë dot prurjet.
Përkundër kësaj situate në terren, në Raportin e Performancës së Bashkisë për vitin 2025 rezulton se rrjeti i kanaleve kulluese është mbuluar në nivelin 100 përqind me shërbime pastrimi dhe punime mirëmbajtjeje, duke u paraqitur si plotësisht funksional.
Kontrasti mes raportimeve zyrtare dhe situatës së krijuar, ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin real të sistemit kullues, kapacitetin përballues të tij në situata të reshjeve intensive, si dhe mbi efektivitetin e mirëmbajtjes së kryer.
Çfarë raporton Bashkia Korçë?
Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Bashkia Korçë shprehet se Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Korçë, nëpërmjet sektorit të Ujitjes dhe Kullimit, ka kryer punime sistematike mirëmbajtjeje në rrjetin kullues gjatë viteve 2024-2025. Sipas institucionit, në vitin 2024 janë pastruar 80,307 metra linearë kanale kulluese, ndërsa në vitin 2025 janë pastruar 64,350 metra linearë kanale kulluese.
Bashkia argumenton se deklarata që “rrjeti kullues ka funksionuar në masën 100%” i referohet performancës së përgjithshme të sistemit gjatë periudhës vjetore, bazuar në funksionimin normal në kushte hidrometeorologjike tipike. Sipas saj, sasia e reshjeve në fillimin e vitit 2026 ishte jashtëzakonisht e lartë për klimën e zonës, duke çuar në tejmbushje të lumenjve Devoll dhe Dunavec.
Institucioni pranon se në fshatin Shamoll, pati qëndrim të përkohshëm të ujit në sipërfaqe, por këmbëngul se infrastruktura kryesore ka funksionuar, pasi pas ndalimit të reshjeve, uji u largua përmes rrjetit kullues, gjë që tregon se infrastruktura kryesore ishte funksionale.
Përveç intensitetit të lartë të reshjeve brenda një kohe të shkurtër, në përgjigje përmenden edhe faktorë të tjerë që sipas bashkisë, ndikuan në këtë situatë si: ndërhyrjet e paligjshme nga ana e fermerëve, hedhja e mbeturinave, dëmtime të argjinaturave si dhe ndёrtimet informale pranë infrastrukturës kulluese.
Çfarë ndodhi në Shamoll?
Më 7 janar 2026, reshjet intensive dhe rritja e prurjeve në zonë sollën përmbytje të konsiderueshme në fshatin Shamoll të Korçës. Uji depërtoi në banesa, përmbyti oborret e disa shtëpive, dëmtoi stallat dhe rezervat ushqimore për bagëtitë.
Ditën kur ndodhi përmbytja, ne ishim aty dhe intervistuam disa prej banorëve të fshatit, të cilët insistojnë për një problem të përsëritur dhe thonë se reshjet nxjerrin në pah mosfunksionimin normal të sistemit të kullimit.
Njëri prej banorëve të zonës, Sotir Mankolli, tregon se shkaku lidhet me mënyrën si është organizuar rrjeti i kullimit në kufi me bashkinë Maliq.
“Siç e shikoni, kjo situatë përsëritet vazhdimisht. I gjithë problemi nis në kufirin me bashkinë Maliq, ku është bërë një portë e madhe për vaditjen e fushës, ndërsa më pas janë vendosur disa porta të ngushta, radhë pas radhe. Për këtë arsye uji nuk arrin të kullojë. Është hera e dytë apo e tretë që përmbyten banesat. Institucionet kanë ardhur dhe janë interesuar, por zgjidhje nuk kanë dhënë.”
Ekspertë të menaxhimit të ujërave dhe inxhinierë të hidroteknikës theksojnë se rrjetet kulluese nuk mund të trajtohen të ndara sipas kufijve administrativë, pasi prurjet ujore ndjekin relievin natyror dhe jo ndarjet bashkiake. Për këtë arsye, koordinimi mes bashkisë Korçë dhe Maliq konsiderohet thelbësor, sidomos në zonat kufitare ku ndërthuren kolektorët dhe kanalet kulluese.
Sipas specialistëve, mungesa e ndërhyrjeve të koordinuara në një segment të rrjetit mund të ndikojë drejtpërdrejt në përmbytjen e zonave të tjera më poshtë. Ata sugjerojnë hartimin e një plani të përbashkët mirëmbajtjeje dhe monitorimi për gjithë sistemin kullues të zonës, si dhe ndërhyrje të sinkronizuara mes dy bashkive dhe strukturave të Ministrisë së Bujqësisë. Një rekomandim tjetër lidhet me krijimin e një mekanizmi të përhershëm koordinimi ndërinstitucional, sidomos gjatë periudhave me reshje intensive, për të shmangur bllokimet dhe për të garantuar funksionimin e njëtrajtshëm të kolektorëve kryesorë.
Përgjegjësi i Sektorit të Ujitje-Kullimit në Bashkinë Maliq, Astrit Zhollanji, nuk e shikon fajin te mungesa e koordinimit mes bashkive. Sipas tij, janë realizuar ndërhyrje dhe pastrime në kanale e kolektorë, ndërsa bashkëpunimi me bashkinë Korçë dhe institucionet përgjegjëse vijon për menaxhimin e situatave gjatë reshjeve intensive.
“Kemi koordinim të vazhdueshëm me bashkinë Korçë dhe institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrjetit kullues. Janë kryer pastrime dhe ndërhyrje në kanale dhe kolektorë, ndërsa puna vijon për të parandaluar problematikat gjatë periudhave me reshje intensive.”
Një tjetër banore, Shqiponjë Liçenji, thotë se dëmet kanë qenë të konsiderueshme dhe kujton momentin kur uji hyri në shtëpi gjatë natës.
“Është hera e dytë që përmbytemi. Edhe këtë herë na zuri në gjumë. Fëmijët u tmerruan, ndërsa janë dëmtuar të gjitha orenditë e shtëpisë. M’u mbytën edhe zahiretë dhe ushqimi i bagëtive. Dëmi është i madh, më ka prekur deri në themel. Deri tani nuk kemi marrë asnjë ndihmë, por problemi më i madh është se vera do kalojë shpejtë e shirat do nisin prapë.”
Një fermer tjetër, Hilmi Braholli, përshkruan dëmet në prodhimin bujqësor dhe në bazën ushqimore të bagëtive.
“Jemi përmbytur plotësisht. Më janë dëmtuar rreth 500 dëngje jonxhë, rreth 70 kuintalë elb e grurë, si edhe shtëpia. Kjo ndodh për shkak të bllokimit të kanaleve nga ana e fermës, siç i themi ne. Edhe herën e parë erdhën, hapën pritat dhe panë dëmet nëpër shtëpi, por deri tani nuk është bërë asgjë. Situata mbetet po aq e rëndë sa herën e kaluar.”
Dëshmitë e banorëve tregojnë se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me sasinë e reshjeve, por me faktin që uji qëndron dhe nuk largohet me shpejtësi. Fakt ky që tregon se infrastruktura kryesore nuk ka qënë funksionale.
Kur janë pastruar kanalet për herë të fundit?
Banorët ngrenë dyshime për mirëmbajtjen konkrete të kanaleve pranë tokave dhe banesave të tyre. Shumë prej tyre thonë se nuk dinë të tregojnë se kur është kryer pastrimi i fundit në segmentet problematike të rrjetit kullues të fshatit Shamoll.
Përtej pastrimit periodik të kanaleve kulluese, ekspertët theksojnë se problematika në Shamoll lidhet edhe me nevojën për rikonstruksion dhe zgjerim të disa segmenteve të rrjetit ekzistues. Sipas tyre, infrastruktura kulluese është projektuar dekada më parë dhe në shumë raste nuk i përgjigjet më volumit aktual të reshjeve apo ndryshimeve të relievit dhe përdorimit të tokës.
Banorët e zonës pretendojnë se ndërhyrjet janë përqendruar kryesisht në kolektorët kryesorë, ndërsa kanalet dytësore dhe degëzimet pranë banesave dhe parcelave bujqësore kanë mbetur të bllokuara ose të ngushtuara. Në terren evidentohen segmente me bimësi të dendur, mbetje dhe depozitime inertesh që pengojnë rrjedhën normale të ujit.
Specialistët sugjerojnë që, përveç pastrimit rutinë, të kryhet edhe një rivlerësim i plotë teknik i rrjetit kullues në Shamoll dhe zonat përreth, për të parë nëse nevojiten kanale të reja, zgjerim i kolektorëve ekzistues apo rehabilitim i segmenteve problematike. Ata theksojnë se pa investime strukturore afatgjata, përmbytjet rrezikojnë të përsëriten çdo sezon reshjesh intensive.
Çfarë thotë Bashkia Korçë për masat e marra?
Në përgjigjen për Faktoje.al, Bashkia Korçë thekson se mirëmbajtja e rrjetit kullues ka qenë e vazhdueshme dhe se përmbytjet e janarit lidhen me reshje ekstreme dhe faktorë të jashtëm.


Përgjigje e kërkesës për informacion
Institucioni sqaron se sistemi kullues nuk është projektuar për prurje të jashtëzakonshme dhe pranon se mungesa e të dhënave të plota hidrometeorologjike që prej viteve ’90 vështirëson planifikimin e veprave mbrojtëse afatgjata.
Sipas Bashkisë, pas situatës së ndodhur janë marrë masat e nevojshme ku nё vijim tё bashkёpunimeve institucionale me Drejtorinё e Ujitjes dhe Kullimit Korçё, ёshtё kryer pastrimi i pёrroit tё Qatromit dhe lumit Dunavec me anё tё mjeteve të rënda. Aktualisht ёshtё duke u punuar pёr sistemimin e kolektorit tё Shamollit.
Gjithashtu është parashikuar rivendosja e monitorimit sistematik, në kuadër të Planeve të Baseneve Lumore dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Njëkohësisht, Bashkia Korçë po thellon bashkëpunimin me fermerët dhe banorët për të parandaluar ndërhyrjet e paligjshme.
Përfundimi
Rasti i Shamollit vë përballë dy realitete: raportimin institucional për funksionim të plotë të rrjetit kullues dhe dëshmitë e banorëve që përballen me përmbytje të përsëritura. Nga njëra anë, Bashkia Korçë flet për një rrjet kullues funksional dhe mijëra metra kanale të pastruara. Ndërsa nga ana tjetër, banorët tregojnë se përmbytjet vazhdojnë të përsëriten sa herë që ka reshje intensive.
Përtej shifrave zyrtare dhe shpjegimeve teknike, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: nëse sistemi funksionon, pse banorët përballen me përmbytje sa herë që reshjet intensifikohen?
Ekspertët e menaxhimit të ujërave argumentojnë se rrjeti kullues në zonën e Korçës duhet të përshtatet me realitetin e ri klimatik dhe zhvillimet demografike të viteve të fundit. Sipas tyre, reshjet intensive janë bërë më të shpeshta dhe infrastruktura ekzistuese nuk mund të mbështetet vetëm te pastrimi periodik i kanaleve.
Ata rekomandojnë një qasje më të gjerë, që përfshin rehabilitimin e rrjetit kullues, zgjerimin e kapaciteteve përballuese të kolektorëve, monitorim më të mirë hidrologjik dhe bashkëpunim më të ngushtë mes bashkive Korçë-Maliq dhe institucioneve në varësi të Ministrisë së Bujqësisë.
Po ashtu, ekspertët sugjerojnë kontroll më të fortë ndaj ndërhyrjeve të paligjshme pranë kanaleve, si dhe investime në sisteme moderne monitorimi dhe parandalimi të përmbytjeve. Vetëm një strategji e koordinuar dhe afatgjatë mund të shmangë përsëritjen e situatave si ajo e Shamollit, ku banorët vijojnë të jetojnë çdo dimër me frikën e përmbytjeve.











