Drejtoria Vendore e Kadastrës në Korçë ka hyrë në një fazë të re modernizimi: Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nisur digjitalizimin e hartave kadastrale për 271 zonat që mbulon kjo drejtori.
Procesi po zhvillohet sipas një kalendari të përcaktuar pune dhe synon përmirësimin e administrimit të të dhënave dhe të shërbimeve për qytetarët. Në këtë fazë po kryhet inventarizimi dhe skanimi i planshetave, për të vazhduar më pas me gjeoreferimin dhe integrimin e materialeve në sistemin elektronik.
Gjatë punimeve, shërbimet që kërkojnë veprime mbi hartën kadastrale do të pezullohen përkohësisht — deri në 21 ditë — sipas zonave përkatëse. Të gjitha shërbimet e tjera për qytetarët do të vijojnë normalisht gjatë gjithë periudhës.
Digjitalizimi i hartave pritet të shkurtojë kohën e shërbimeve kadastrale dhe të ulë gabimet që burojnë nga dokumentacioni në letër.


