Në farmacitë e lagjeve të Korçës, fletorja e borxheve është kthyer në një dokument të heshtur të vështirësive ekonomike: aty shënohen çdo ditë emrat e qytetarëve, kryesisht pensionistë, që nuk arrijnë t’i paguajnë barnat në moment.
Farmacistët tregojnë se përballen rregullisht me pacientë që, edhe pse kanë receta të lëshuara nga mjekë specialistë, nuk i blejnë dot të gjitha medikamentet për shkak të të ardhurave të pakta. Në shumë raste, barnat jepen me borxh dhe listat e emrave zgjaten muaj pas muaji.
Vetë të moshuarit pohojnë se pensioni nuk mjafton për shpenzimet bazë dhe se për shumë prej tyre mbështetja kryesore vjen nga fëmijët në emigracion. Sipas tyre, indeksimet e herëpashershme të pensioneve nuk e kanë ndjekur dot rritjen e kostos së jetesës dhe të barnave.
Për një pjesë të qytetarëve të Korçës, zgjedhja e përditshme mbetet e vështirë: mes ushqimit dhe ilaçeve. Fletoret e farmacive mbeten dëshmia më konkrete se kujdesi për shëndetin po kthehet në një barrë që pensioni mujor nuk e mbulon dot.
Burimi: bufiurte.al


