Të dhënat më të fundit të Eurostat sjellin një befasi për konsumatorët shqiptarë: veshjet në Shqipëri kushtojnë tashmë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Indeksi i çmimeve të veshjeve, i llogaritur sipas fuqisë blerëse, ka arritur në 105.2 — 5.2% mbi mesataren europiane prej 100.
Me këtë nivel, Shqipëria hyn në grupin e 11 vendeve europiane me veshjet më të kushtueshme, e tejkaluar kryesisht nga ekonomitë e zhvilluara si Zvicra, Irlanda, Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia. Në Ballkan, vendi ynë renditet i pari për çmimet e kësaj kategorie.
Kthesa ka ndodhur brenda pak vitesh: rreth katër vite më parë çmimet e veshjeve në Shqipëri ishin 96.5% e mesatares së BE-së, në 2023 indeksi kishte zbritur në 90.7, ndërsa në 2025 u ngjit me ritme të shpejta deri në 105.2. Një dekadë më parë, veshjet këtu kushtonin rreth gjysmën e mesatares europiane.
Sipas ekspertëve, shkaqet lidhen me varësinë e tregut nga importet, rritjen e kostove të transportit dhe furnizimit pas krizave globale, si dhe shtimin e shpenzimeve të bizneseve për qira, paga dhe operim. Ndikim ka dhënë edhe rritja e kërkesës për marka ndërkombëtare dhe produkte premium.
Shqetësimi kryesor që nënvizohet është se çmimet po konvergjojnë me Europën shumë më shpejt sesa të ardhurat e konsumatorëve shqiptarë.


