Kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugës Potom–Backë–Qafa e Martës, aksit që do të lidhë drejtpërdrejt Skraparin me qarkun e Korçës. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi projektin si një investim strategjik për të dyja zonat.
“Ka nisur asfaltimi i rrugës Potom-Backë-Qafa e Martës, një investim strategjik që lidh Skraparin me Korçën, duke afruar dy qarqe përmes një infrastrukture moderne”, deklaroi Rama në njoftimin e tij.
Sipas qeverisë, aksi i ri pritet të lehtësojë ndjeshëm transportin dhe të ulë kostot e udhëtimit mes dy qarqeve, duke forcuar ekonomitë vendase dhe duke krijuar mundësi të reja për fermerët dhe sipërmarrësit e zonës. Në të njëjtën kohë, rruga hap potencialin turistik të një territori të pasur me burime natyrore, deri më sot vështirësisht të aksesueshëm.


