Shpenzimet e shqiptarëve për shërbimet celulare janë rritur me 42.1% brenda tre vjetësh, me një kosto mesatare shtesë prej rreth 30 eurosh në vit për person. Rritja vjen në një treg që, pas bashkimit të One me Albtelecom, funksionon tashmë me vetëm dy operatorë: One Albania dhe Vodafone Albania.
“Pas bashkimit të One me Albtelecom, tregu i shërbimeve celulare funksionon me dy operatorë, duke sjellë ndryshime në strukturën e paketave dhe rritje çmimesh”, konstaton Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Ndryshimet ndihen drejtpërdrejt nga konsumatorët: paketat më të lira, të nivelit 500–600 lekë, nuk gjenden më në pikat fizike të shitjes, ndërsa paketat standarde prej 1,000–1,100 lekësh vijojnë të ofrojnë përmbajtje të kufizuar interneti.
Autoriteti i Konkurrencës vëren se “të dyja kompanitë kanë ndjekur sjellje të ngjashme tregtare në lidhje me ofertat e shërbimeve celulare, me rritje çmimesh progresive dhe të sinkronizuara në kategori të krahasueshme shërbimesh”. Megjithatë, sipas të njëjtit autoritet, “nuk u gjetën prova të drejtpërdrejta ose të tërthorta që vërtetojnë marrëveshje për fiksim çmimesh, komunikime apo shkëmbim informacioni mes kompanive”.


