Rritja e ndjeshme e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka sjellë një fluks të lartë vizitash pranë shërbimit të Pediatrisë në Spitalin e Korçës. Mjekët e këtij reparti raportojnë një shtim të konsiderueshëm të rasteve të fëmijëve që paraqiten me simptoma të ndryshme shëndetësore të shkaktuara nga i nxehti i tejskajshëm.
Sipas të dhënave mjekësore, çdo ditë në këtë spital paraqiten deri në 45 fëmijë me probleme gastrointestinale. Ndër simptomat më të zakonshme që vihen re te pacientët e vegjël janë të vjellat, diarrea dhe në disa raste edhe temperatura e lartë.
Thirrja e mjekëve për kujdes të shtuar
Përballë kësaj situate të ngarkuar, Shefi i Shërbimit të Pediatrisë, Robert Rado, u bën thirrje të gjithë prindërve të tregojnë kujdes të veçantë me higjienën, hidratimin dhe ushqyerjen e fëmijëve, si dhe të shmangin daljet apo ekspozimin e tyre në diell gjatë orëve me temperaturat më të larta të ditës.


