Sokol Hoxha, i dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri në vitin 2000 dhe për një tjetër vrasje në Belgjikë në vitin 2010, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë.
Sipas njoftimit zyrtar, ai u identifikua pas një hetimi të gjatë që zbuloi fshehjen e identitetit të tij për gati tre dekada. Hoxha kishte përdorur një identitet të rremë për t’iu shmangur drejtësisë, duke siguruar fillimisht status ligjor në një shtet tjetër evropian dhe më pas leje qëndrimi të përhershme në Shtetet e Bashkuara, po ashtu nën një emër të rremë.
Mesazhi i Ambasadës së SHBA
Përmes një reagimi të bërë në rrjetin social Facebook, Ambasada Amerikane në Tiranë thekson se rasti i Hoxhës është një kujtesë e qartë se SHBA nuk është strehë për ata që keqpërdorin sistemin e emigracionit për t’i shpëtuar llogaridhënies për krimet e tyre. Institucioni diplomatik rithekson se Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për personat që kërkojnë t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të rënda të kryera jashtë vendit.
Bashkëpunimi ndërkombëtar për ekstradimin
Ambasada thekson se identifikimi dhe arrestimi i tij u bë i mundur falë punës së Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë. Ky operacion u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së, ICE, Departamentin Amerikan të Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar. Në përfundim, autoritetet amerikane vlerësuan lart bashkëpunimin me partnerët shqiptarë dhe ndërkombëtarë në luftën e përbashkët kundër krimit.


