Gjykata në Shqipëri ka vendosur masën e arrestit me burg për aktivisten turke Julide Yazici, 32 vjeç, e cila u ndalua gjatë një kontrolli kufitar pasi rezulton e kërkuar nga autoritetet në Ankara për vepra të dyshuara të lidhura me terrorizmin.
Sipas dosjes hetimore dhe drejtësisë turke, e reja akuzohet për dhënie ndihme logjistike dhe pjesëmarrje në një organizatë terroriste. Këto akuza lidhen me demonstratat për të drejtat kurde të zhvilluara shtatë vite më parë. Gjatë kohës kur ishte studente, Yazici dyshohet se mori pjesë në protestat e partisë komuniste kurde, konkretisht në grupin e rinisë. Autoritetet turke pretendojnë se pas kontrolleve në një banesë me qira në Stamboll, u gjetën të dhëna kompromentuese, përfshirë pako dhe gjurmë papilare në një automjet që kishte transportuar bomba artizanale në demonstratë. Për këtë çështje, ajo është dënuar në mungesë me 4 vite burgim në Turqi.
Pretendimet për persekutim politik dhe azili në Francë
Në seancën gjyqësore, prokurori Francesk Ganaj kërkoi që paraburgosja e të dyshuarës të vendoset sipas ligjeve vendase në fuqi, duke theksuar se kërkesa bazohet në aktet rreth ekstradimit. Para gjyqtarit, e kërkuara deklaroi se është e persekutuar politikisht për shkak të protestave të saj ndaj presidentit turk Erdogan. Ajo theksoi se nëse dorëzohet në Turqi, i rrezikohet jeta, një qëndrim që u mbështet edhe nga avokatët e saj mbrojtës.
Një detaj i rëndësishëm i kësaj çështjeje është fakti se 32-vjeçarja kishte fituar më parë azilin politik në Francë. Avokati i saj turk pohoi për median se për këtë situatë do të njoftohen menjëherë autoritetet franceze, duke qenë se e arrestuara gëzon mbrojtje politike në këtë shtet evropian.


