Autoritetet shqiptare kanë finalizuar me sukses ekstradimin e dy personave të shumëkërkuar nga drejtësia, një shtetas kolumbian i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe një shqiptar i dyshuar për tentativë vrasjeje, përkatësisht nga Kolumbia dhe Italia.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Interpol Bogotën, është bërë i mundur ekstradimi i shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, 53 vjeç. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Dosja hetimore tregon se 53-vjeçari dyshohet të ketë shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike të nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi. Itinerari i ngarkesës ka kaluar përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas në portin e Tivarit në Mal të Zi, me destinacion final Shqipërinë. Hetimet kanë zbuluar se marrësi i ngarkesës ishte një shtetas shqiptar, ndërsa i dyshuari kolumbian kishte ndjekur të gjithë rrugëtimin e transportit të drogës deri në mbërritjen në destinacion.
Ekstradimi nga Italia për tentativë vrasjeje
Në kuadër të të njëjtit operacion, në bashkëpunim me Interpol Romën, u ekstradua nga Italia shtetasi Fadil Ternova, 38 vjeç, i lindur në Bulqizë. Sipas Policisë, ndaj tij rëndojnë akuzat për tentativë vrasjeje me armë zjarri, armëmbajtje pa leje, goditje për shkak të detyrës, si dhe një dënim i mëparshëm për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Hetimet tregojnë se në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë, 38-vjeçari dyshohet se tentoi të vriste me armë automatike shtetasin me iniciale A. P., pas një konflikti verbal për motive të dobëta. Policia e Shtetit bën me dije se operacioni i koduar “The Wanted” vijon në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim lokalizimin dhe ekstradimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.


