Anastas Avramidhi – Lakçe (1821–1890) ishte një nga bamirësit dhe patriotët më të mëdhenj shqiptarë, i cili pasi emigroi dhe u bë një nga njerëzit më të pasur në Rumani, shkriu pasurinë e tij për ndërtimin e shkollave, rrugëve dhe Katedrales së Shën Gjergjit në Korçë.
I lindur në Korçë në vitin 1821, Anastas Lakçe emigroi drejt Rumanisë që në moshë të re. Me një punë të palodhur, ai arriti të kthehej në një nga biznesmenët më të fuqishëm të atij vendi dhe një shtyllë e lëvizjes patriotike. Pavarësisht largësisë, ai dërgonte vazhdimisht donacione për vendlindjen. Ndihma e tij përfshinte financimin e infrastrukturës, si dhe mbështetjen financiare për familjet e varfra, duke përgatitur pajën për vajzat që martoheshin, pa bërë dallime nëse ishin të krishtera apo myslimane.
Roli në lëvizjen patriotike dhe dëshmia e Lasgush Poradecit
Kontributi i tij në organizimin e diasporës ishte thelbësor. Shkrimtari Lasgush Poradeci ka lënë një dëshmi të qartë për rolin e tij në themelimin e shoqërive patriotike: “Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë në të vërtetë pa as më të voglin vonim me 27 Dhjetor 1884 dhe u themelua zyrtarisht Shoqëria e Pavarur – “Autoqefale” – e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, me kryetar plakun milioner Anastas Avramidhi Lakçe – Korçën. Ky i pari mbi të gjithë, fali një shumë prej 200 napolonash, që në krijim të shoqërisë, ku u mblodhën me tepër se 15 mijë franga ari. Emri i shoqërisë i pranuar midis entuziazmit me zëra të përbashkët u vendos të jetë “Drita”, simbol i ndritjes, që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore. Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht shuma të mira të hollash, 49 anëtarë nga më të flaktit.”
Kjo shoqëri më vonë e ndryshoi emrin në “Dituria”, duke arritur të botojë 12 numra të revistës me të njëjtin titull. Vetë Anastas Lakçe, në vitin 1888, publikoi një libër në gjuhën shqipe të titulluar “Për shqiptarët nga një shqiptar”, i cili u përkthye më pas në frëngjisht, greqisht dhe rumanisht, ku theksohej rëndësia e edukimit në gjuhën amtare.
Ndërtimi i Katedrales së Shën Gjergjit në Korçë
Një nga veprat më madhështore të financuara prej tij ishte Katedralja e Shën Gjergjit në Korçë. Kisha e vjetër, e cila datonte që nga Mesjeta e Hershme në vitin 1253, u prish në vitin 1875 për t’i hapur rrugë ndërtimit të katedrales së re. Megjithatë, punimet u ndërprenë pas një ankese në Portën e Lartë në Stamboll, ku pretendohej se të krishterët po ndërtonin një kështjellë.
Mitropolia e Shenjtë e Korçës i kërkoi Patriarkanës së Kostandinopojës të ndërhynte, por ishte autoriteti i Anastas Lakçes ai që zgjidhi ngërçin. Si një njeri që pritej menjëherë edhe nga vetë mbreti i Rumanisë, ai ndërhyri fuqishëm pranë Portës së Lartë, e cila dërgoi arkitektë specialistë për të vërtetuar se objekti ishte një kishë. Për këtë kryevepër arkitekturore, filantropi dhuroi që në fillim 5 000 napolona flori, ndërsa shuma të konsiderueshme u mblodhën edhe nga qytetarët e tjerë korçarë.
Katedralja u përfundua dhe u përurua në vitin 1905, me një pllakë mbi portën e brendshme që mbante emrin e bamirësit dhe vitin e ndërtimit. Aty u mbajt mesha e parë në shqip në vitin 1914, dhe në 1923 Fan Noli u dorëzua kanonikisht peshkop. Fatkeqësisht, ky objekt u hodh në erë me dinamit nga regjimi komunist në vitin 1971. Anastas Avramidhi Lakçe ndërroi jetë në vitin 1890 pa u martuar kurrë. Përmes testamentit të tij, ai kërkoi që e gjithë pasuria t’u kalonte shoqatave për promovimin e arsimit shqiptar, por ky vullnet i fundit u bllokua nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës.


