Dy ngjarje të rënda kriminale kanë tronditur qarkun e Lezhës gjatë orëve të natës, ku një i ri është qëlluar me armë zjarri në Laç dhe një banese në Shënkoll i është vendosur lëndë plasëse.
Të shtëna ndaj 28-vjeçarit në Laç
Incidenti i parë u regjistrua pak para mesnatës në qytetin e Laçit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, një 28-vjeçar ka raportuar se ka qenë shënjestër e një sulmi me armë teksa lëvizte në rrugë. “Rreth orës 23:55, në Laç, shtetasi Sierdi Kolziu, 28 vjeç, banues në Laç, ka kallëzuar se, duke lëvizur në këmbë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, pa shkaktuar dëmtime”, konfirmon policia. Fatmirësisht, i riu ka arritur t’u shpëtojë plumbave pa marrë lëndime fizike.
Shpërthim me tritol në Shënkoll
Disa orë më vonë, një tjetër ngjarje ka alarmuar banorët e fshatit Shënkoll. Rreth orës 04:00 të mëngjesit, një sasi eksplozivi ka shpërthyer në ambientet e jashtme të një banese. Policia sqaron përmes njoftimit: “Rreth orës 04:00, në fshatin Shënkoll, në portën e murit rrethues të banesës së shtetasit Mark Deda 73 vjeç, ka shpërthyer, dyshohet, një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”.
Për të dyja këto ngjarje të njëpasnjëshme, autoritetet kanë ngritur grupe të posaçme hetimore. Nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet intensive në terren për sqarimin e plotë të rrethanave, mbledhjen e provave materiale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar të këtyre sulmeve.


