Kryeministri Edi Rama mbledh këtë të diel në orën 11:30 drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në vilën qeveritare në Pogradec, në një takim pune dyditor të përqendruar te strategjia e re dhe organizimi i strukturave.
Takimi nis me fjalën hapëse të kryeministrit Edi Rama, e cila parashikohet të zgjasë rreth një orë. Më pas, drejtuesit politikë do të ndalen në diskutimin e dy dokumenteve të reja të brendshme, të titulluara “Besa” dhe “Prania Besnike”. Pas pushimit të drekës, gazetarja Jonida Shehu do të bëjë një prezantim të platformës për vlerësimin e aktivitetit mediatik, ndërsa dita do të përmbyllet sërish me fjalën e kreut të qeverisë.
Takimi i zgjeruar dhe masat e sigurisë në Tushemisht
Në orët e mbrëmjes, kryeministri Rama, drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat e kabinetit do të mblidhen për një darkë të përbashkët në një nga hotelet në Tushemisht. Për shkak të zhvillimit të këtyre takimeve me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe politikë, i gjithë qarku dhe zona e Pogradecit ndodhen nën masa të rrepta sigurie gjatë këtyre dy ditëve.


