Shtetasit francezë po kryesojnë renditjen e turistëve të huaj që po vizitojnë Pogradecin dhe rajonin juglindor gjatë këtij sezoni turistik, të tërhequr nga natyra, ushqimi tradicional dhe çmimet me leverdi. Sipas sipërmarrësve vendas buzë liqenit, si Gjergji që merret prej vitesh me dhënien e varkave me qira, klientët kryesorë që frekuentojnë liqenin janë të huajt nga Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia, ndërsa numri i turistëve vendas prej zonave të Maliqit, Përrenjasit e Korçës ka pësuar rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Të dhënat e rezervimeve dhe rritja e vizitorëve nga Franca
Prania e lartë e turistëve francezë konfirmohet edhe nga të dhënat e platformës analitike AirDNA për rezervimet e qiratë afatshkurta deri në qershor 2026, ku vizitorët nga Franca zënë 17.7% të net-qëndrimeve, duke u pozicionuar në vendin e parë me rritjen më të lartë vjetore. Gjermania renditet e dytë me 13.39% të net-qëndrimeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e tretë me 12.99%.
Përvoja e pushuesve në fshatin turistik të Tushemishtit
Në fshatin turistik Tushemisht, shtetasja franceze Ofelia Pamla, një mësuese 27-vjeçare nga Franca, ka zgjedhur të kalojë 2 javë pushime në Juglindje, duke vizituar Pogradecin, Korçën dhe Përmetin. Ajo tregon se u bind nga mikesha e saj shqiptare pas hezitimeve fillestare rreth pasigurisë. “Nga qëndrimi im në këto qytete jam suprizuar nga natyra e bukur dhe ushqimi tradicional, por edhe siguria. Më pëlqen shumë të konsumoj byrekun në saç dhe petullat e fshira, ushqim tradicional i zonës. Veçanërisht byreku në saç është shumë i veçantë si ushqim. Në total kam parashikuar të shpenzoj një buxhet prej 2 mijë euro në Shqipëri, të njëjtin buxhet që do të shpenzoja edhe nëse do të pushoja në Francë. Por kuptohet atje do të pushoja më pak ditë, pasi çmimet më të lira këtu te ju të mundësojnë qëndrim më afatgjatë për pushime”, pohoi ajo.


