Një emigrant shqiptar ka udhëtuar nga Greqia drejt Pogradecit me qëllimin e vetëm për të takuar kryeministrin Edi Rama, i cili zhvillon një mbledhje dy-ditore me kabinetin qeveritar në këtë qytet.
Bëhet fjalë për 70-vjeçarin Halim Bufi, i cili jeton prej 35 vitesh në Ksanthi të Greqisë. I moshuari ka përshkuar 5 orë rrugë për të shprehur mirënjohjen e tij ndaj kreut të qeverisë lidhur me procesin e njohjes së pensioneve mes dy vendeve, ndërsa thekson se është anëtar i Partisë Socialiste prej më shumë se tri dekadash.
Deklarata e emigrantit në Pogradec
Në një prononcim për mediat para godinës ku po zhvillohet takimi qeveritar, Bufi theksoi rëndësinë e vendimit për pensionet dhe shprehu dëshirën e tij për të takuar kryeministrin:
“Kam ardhur nga Greqia për të takuar kryeministrin, ti jap falënderimet kryeministrit. Për ne ka bërë shumë punë si refugjat që jam. Tani do të na njihen edhe vitet e punës atje dhe këtu. Bëra 5 orë rrugë të takoj kryeministrin. Jam me Fatos Nanon, kam hyrë në burg në ’93. Më ka nxjerrë Namik Dokle e Fatos Nano dhe që atëherë ika në Greqi. Protestat i kam ndjekur dhe janë kot. Kam shumë shpresë ta takoj dhe pastaj ta vdes. Në jetën time kam takuar vetëm Fatos Nnaon dhe Namik Doklen. Ramës do ti them më të mirat e zemrës sime. Të na rrojë sa malet”, u shpreh 70-vjeçari.


