Gjithsej 13 sportistë të Olimpikut Special Shqiptar po zhvillojnë në Korçë fazën përgatitore për Lojërat Olimpike Speciale “Santiago 2027”, që do të mbhen në Kili. Ekipi përbëhet nga sportistë nga Tirana, Korça, Elbasani dhe Pogradeci, të cilët po stërviten në peshëngritje, atletikë dhe ping-pong.
Përgatitje intensive dhe përzgjedhja e përfaqësueses
Sportistët po zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë, ndërsa trajnerët po kryejnë vlerësimet teknike për zgjedhjen e delegacionit që do të përfaqësojë Shqipërinë. Përzgjedhja e Korçës për kryerjen e kësaj faze mbështetet në kushtet e përshtatshme klimaterike që ofron qyteti gjatë kësaj periudhe. Vendimi përfundimtar për përbërjen e delegacionit shqiptar pritet të merret brenda këtij viti.
Synimi për medalje ari në peshëngritje
Mes sportistëve që po stërviten është edhe Adi Sula, i cili synon të jetë pjesë e ekipit kombëtar në Santiago dhe të luftojë për medaljen e artë në disiplinën e peshëngritjes. Të gjithë sportistët po vijojnë me stërvitje intensive me objektivin për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale 2027.


