Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë vënë në pranga dy shtetas, babë e bir, të dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike në fshatin Berishë të bashkisë Fushë Arrëz, në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”.
Asgjësohen 172 bimë të dyshuara kanabis
Të ndaluarit nga forcat e rendit janë shtetasit me iniciale T. M., 59 vjeç, dhe Y. M., 24 vjeç, të dy banues në fshatin Berishë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dy personat dyshohet se kishin mbjellë 172 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa në një sipërfaqe toke në afërsi të banesës së tyre.
Ndërhyrja u krye pas kontrolleve të dendura në terren dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative nga strukturat e policisë lokale. Sasia më e madhe e bimëve të gjetura është asgjësuar përmes djegies në vendngjarje, ndërsa një pjesë e tyre është sekuestruar nga grupi hetimor për t’u përdorur si provë materiale gjatë procesit ligjor.
Materialet i kalojnë Prokurorisë së Shkodrës
Gjatë kësaj faze, autoritetet policore po vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për të arrestuarit. Materialet e mbledhura procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme hetimore.


