Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që ministrat të ndjekin personalisht çdo muaj punën e drejtorive në varësi, pas përfundimit të takimit dyditor të strukturave të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar në Pogradec.
Gjatë takimit që zgjati rreth 7 orë në qytetin liqenor, u diskutua mbi qasjen e re të qeverisjes, përgjegjësitë e drejtuesve dhe mekanizmat për ndjekjen e shqetësimeve të qytetarëve. Kjo mbledhje pason diskutimet e mëparshme në Pogradec, ku kabineti qeveritar u përqendrua te dëgjimi i halleve të qytetarëve.
Dokumenti “Besa” dhe platformat e reja të kontrollit
Duke udhëzuar linjën e re të veprimit, kryeministri Edi Rama deklaroi: Fiksimi jonë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari, prandaj drejtuesit politikë duhet t’iu japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave do t’u duhet t’iu japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht të gjithë drejtoritë.
Gjatë diskutimeve për dokumentin “Besa”, ministrja Mirela Kumbaro vuri nëdukje se ky dokument synon që të vërë emra konkretë për shqetësime që artikulohen në publik, ndërsa Ogerta Manastirliu kërkoi të njihen si problemet e familjeve dhe biznesit, ashtu edhe ato të profesionistëve e pensionistëve. Përfaqësues të tjerë si Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi theksuan nevojën e ndërtimit të një sistemi besueshmërie mes qeverisë dhe shoqërisë.
Modeli i ri synohet të zbatohet në të 12 qarqet e vendit. Pjesë e kësaj qasjeje është edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila përmes mekanizmave “Flamingo Albania” dhe “Radar” synon t’u kthjejë përgjigje ankesave të qytetarëve brenda dy javësh, veçanërisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit, strehimit dhe çmimeve të ushqimeve bazë.


