Pogradeci është bërë mikpritës i rreth 20 piktorëve nga më shumë se 10 vende të botës, të cilët janë mbledhur në edicionin e radhës të Kolonisë Ndërkombëtare të Piktorëve, një aktivitet me traditë që organizohet në qytetin liqenor që prej viteve 2000.
Ky aktivitet, i cili synon të ndërtojë ura komunikimi përmes artit, ka bërë bashkë artistë nga vende si Kosova, Serbia, Ukraina, Rusia, Meksika, Spanja, Franca dhe shtete të tjera të Ballkanit. Organizatori Sajmir Ahmeti e vlerëson këtë ngjarje si një mundësi të shkëlqyer për të kapërcyer barrierat politike. “Është krijimi i urave, i marrëdhënieve dhe i komunikimit mes njerëzve e kulturave. Këtu kemi artistë nga vende të Ballkanit, mes të cilave politika ndoshta nuk e ka gjetur gjithmonë gjuhën e përbashkët. Por artistët e kanë gjetur atë gjuhë. Ata e kanë krijuar dhe e kanë nisur këtë komunikim”, shprehet Ahmeti.
Edhe piktorja nga Kosova, Dhurata Begolli, thekson se arti i afron njerëzit pavarësisht vendeve nga vijnë. “Ne të gjithë jemi artistë dhe, pavarësisht se nga cili vend vijmë, ajo që ka rëndësi është që të kemi një bisedë të mirë, një energji të mirë dhe ta përcjellim te njëri-tjetri”, shprehet ajo.
Frymëzimi nga natyra dhe mikpritja e Pogradecit
Natyra e Pogradecit, liqeni dhe mikpritja shqiptare janë kthyer në frymëzim për artistët, ndërsa për disa prej tyre kjo është vizita e parë në Shqipëri. Piktorja ruse Ekaterina Romanova shprehet se është impresionuar nga mikpritja shqiptare, ndërsa artistja Ana Kostenko, e cila ka lindur në Ukrainë dhe jeton në Poloni, tregon se Shqipëria ka tejkaluar pritshmëritë e saj. Ky edicion i kolonisë përcjell edhe një herë mesazhin e fortë se arti nuk njeh kufij dhe mund të krijojë ura komunikimi edhe aty ku politika nuk ka mundur.


