Gjatë protestës së mbajtur para Kryeministrisë, profesor Lush Susaj ka denoncuar humbjen e jetës së një gruaje shtatzënë nga Pogradeci dhe foshnjës së saj, duke e cilësuar këtë ngjarje si pasojë të drejtpërdrejtë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Në ditën e 93-të të qëndresës qytetare në Tiranë, Susaj u bëri thirrje akademikëve, mësuesve dhe studentëve që t’i bashkohen tubimit për të kërkuar rrëzimin e qeverisë.
Denoncimi për sistemin e shëndetësisë
Në fjalën e tij para protestuesve, profesori u ndal veçanërisht te rasti tragjik që ka prekur qarkun e Korçës, duke akuzuar drejtpërdrejt gjendjen e spitaleve. “Sot një nënë nga Pogradeci ka vdekur bashkë me foshnjën e saj. Sistemi i shëndetësisë ka mbetur në kthetrat e korrupsionit. Ajo grua vdiq për shkak të korrupsionit”, u shpreh Susaj, duke kërkuar që rasti të hetohet dhe përgjegjësit të përballen me ligjin. Ai e mbylli këtë pjesë të fjalimit me një apel: “Regjistrojeni këtë viktimë të korrupsionit. Dritë i bëftë shpirti i saj. Zoti e marrtë hakun e saj mbi të gjithë zuzarët dhe politikanët e korruptuar”.
Thirrje për reagim nga pedagogët dhe studentët
Përveç denoncimit të rastit të Pogradecit, Lush Susaj kërkoi një reagim më të gjerë qytetar dhe akademik për të sjellë ndryshimin politik në vend. Ai theksoi se ky tubim nuk përfaqëson asnjë forcë politike, por është një lëvizje për prosperitet. “I bëj thirrje çdo shqiptari të vijë në Sheshin e Lirisë, të hapim rrugën e prosperitetit dhe Shqipërisë demokratike. S’i kemi kujt borxh. S’jemi për parti këtu. I kemi lënë në kacekët e vjetër të gjitha partitë”, deklaroi ai, duke ftuar gjithashtu pedagogët dhe studentët që të marrin mikrofonin dhe të shprehin shqetësimet e tyre.
Sipas profesorit, qëndresa do të vazhdojë deri në përmbushjen e qëllimit të saj. Ai u shpreh optimist për fundin e asaj që e quajti si një nga epokat më të këqija të Shqipërisë. “Sot jemi shumë, por nesër do të jemi më shumë. Do të festojmë rënien e qeverisë më të keqe të Shqipërisë, mbylljen e një epoke të keqe. Kjo ditë do të jetë e afërt dhe Zoti e sjelltë sa më parë”, përfundoi Susaj fjalimin e tij para Kryeministrisë.


