Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar ambientet e brendshme dhe ikonat e shenjta në Kishën e Shën Thanasit në fshatin Sinicë të Korçës, duke shkaktuar reagime të forta dhe shqetësim të madh te komuniteti lokal.
Sipas denoncimeve të banorëve të zonës, autorët kanë hyrë brenda objektit të kultit, ku përveç dëmtimit të ikonave dhe sendeve të shenjta, kanë hedhur edhe çimento në pjesë të ambienteve të brendshme. Kisha, e cila ndodhet në një lartësi prej rreth 1,300 metrash mbi nivelin e detit, është mirëmbajtur ndër vite kryesisht përmes kujdesit dhe kontributit vullnetar të vetë banorëve dhe njerëzve që kanë lidhje me fshatin.
Simboli i bashkëjetesës dhe kërkesa për hetim
Për komunitetin e Sinicës, ky akt përfaqëson një dëmtim të rëndë të trashëgimisë kulturore dhe identitetit të zonës. Kisha e Shën Thanasit ka gëzuar gjithmonë respektin e komuniteteve të ndryshme, ku si të krishterët ashtu edhe myslimanët e zonës janë angazhuar bashkërisht në mirëmbajtjen dhe rindërtimin e saj, duke e kthyer këtë objekt në një simbol të bashkëjetesës fetare.
Banorët i kanë bërë thirrje publike autoriteteve zyrtare që të hetojnë rrethanat e ngjarjes, të identifikojnë personat përgjegjës dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë. Gjithashtu, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për restaurimin e dëmeve të shkaktuara dhe marrjen e masave konkrete për mbrojtjen e mëtejshme të këtij objekti me rëndësi historike, kulturore dhe fetare.
Foto ilustruese.


