Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar nga Haga se pret një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga asnjë motiv apo palë e jashtme lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara. Në një intervistë për emisionin “Top Story” me gazetaren Grida Duma, ish-kreu i shtetit të Kosovës u shpreh falënderues ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për mbështetjen e tij dhe përpjekjet ndërkombëtare, përfshirë kërkesën drejtuar Presidentit amerikan Donald Trump në Bordin e Paqes për të ndalur procesin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë
Gjatë bashkëbisedimit, Hashim Thaçi e cilësoi organizimin e Samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë si pikën më kulminante të historisë politike të Shqipërisë, duke e parë atë si konfirmim të besimit perëndimor ndaj përparimit euro-atlantik të vendit. Ish-presidenti nënvizoi se Edi Rama ndihmoi edhe në lehtësimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Bordin e Paqes dhe shprehu shpresën se do të gjendet një hapësirë legale për praninë e Kosovës në margjinat e samitit të Tiranës, ndonëse theksoi se edhe vetë Kosova duhet të ndihmojë vetveten.
Qëndrimi për krijimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015
I pyetur mbi vendimmarrjen e vitit 2015 për krijimin e Dhomave të Specializuara, Hashim Thaçi sqaroi se Kosova ndodhej midis dy rrugëve: të themelonte gjykatën me partnerët ndërkombëtarë ose të lejonte krijimin e saj nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ai u shpreh se u zgjodh e keqja më e vogël për të evituar përfshirjen e Rusisë dhe Kinës. Lidhur me procesin aktual gjyqësor, ai deklaroi shprehimisht: “Pres një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga askush dhe nga asnjë lloj motivi. Të vërtetën e kanë parë gjyqtarët, realitetin e ka parë edhe bota. Tashmë u mbetet atyre të nxjerrin vendimin; është në duart e tyre.”


