Një studim i ri shkencor sugjeron se aktiviteti fizik mund të luajë një rol thelbësor në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes së Parkinsonit, duke ndikuar drejtpërdrejt në komunikimin mes muskujve dhe trurit. Të dhënat e publikuara në revistën Neuroprotection tregojnë se ushtrimet nuk përmirësojnë vetëm ekuilibrin dhe lëvizshmërinë e pacientëve, por mbrojnë edhe qelizat nervore.
Roli i molekulave mbrojtëse
Gjatë lëvizjes dhe aktivitetit fizik, muskujt çlirojnë molekula specifike të cilat shkencëtarët i quajnë “ekserkina”. Këto molekula përhapen përmes qarkullimit të gjakut dhe, sipas studiuesve, kanë aftësinë të ulin inflamacionin dhe të mbështesin funksionimin e trurit. Aktualisht, sëmundja e Parkinsonit prek më shumë se 10 milionë njerëz në mbarë botën, një shifër kjo që pritet të rritet paralelisht me plakjen e popullsisë.
Nevojiten prova klinike te njerëzit
Pavarësisht këtyre gjetjeve premtuese, shkencëtarët theksojnë se nuk duhet të nxirren ende përfundime të forta. Pjesa më e madhe e provave aktuale vjen nga studime laboratorike dhe eksperimente te kafshët. Për këtë arsye, nevojiten prova të mëdha klinike te njerëzit për të vërtetuar plotësisht këtë mekanizëm. Studiuesit thonë se ekserkinat mund të bëhen në të ardhmen një mënyrë e re për të kuptuar dhe trajtuar dëmtimin nervor që lidhet me Parkinsonin.


