Sot përkujtohet dita e lindjes së Hirësisë së Tij, Kryepeshkopit Anastas Janullatos, një prej figurave më të ndritura të jetës fetare, shpirtërore dhe humaniste në Shqipëri. I lindur më 4 nëntor 1929 në Pire të Greqisë, Anastas Janullatos do të lidhej përgjithmonë me fatin e besimit ortodoks shqiptar, duke i dhënë atij jetë e dritë pas dekadave të errëta të ndalimit të fesë.
Në vitin 1992, ai u emërua Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, në një kohë kur vendi sapo dilte nga regjimi komunist dhe trashëgonte një trashëgimi të rrënuar shpirtërore e materiale. Me një përkushtim të rrallë, Janullatos u bë themeluesi i rilindjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Falë vizionit të tij, u rindërtuan mbi 160 kisha e manastire, u ngritën shkolla teologjike, qendra sociale dhe institucione që sot janë pjesë e pandarë e jetës fetare e kulturore të vendit.
Por kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në besimin fetar. Ai u shqua si një promotor i dialogut ndërfetar, i paqes dhe bashkëjetesës mes komuniteteve. Me fjalën e tij të urtë dhe shembullin e veprës, Anastas Janullatos mishëroi vlerat e dashurisë, respektit dhe përulësisë, duke fituar admirimin e besimtarëve të të gjitha feve.
Në ditën e lindjes së tij, kujtojmë jo vetëm hierarkun e lartë të Kishës Ortodokse, por njeriun e urtë që e deshi Shqipërinë si atdheun e shpirtit të tij dhe që për më shumë se tri dekada i shërbeu me përkushtim, dashuri dhe besim.


