Kryetari i Komisionit Parlamentar në Bashkimin Europian për Anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, Andrei Kovaçeviç, gjatë një deklarate të bërë nga Pusteci, theksoi rëndësinë strategjike që ka procesi i integrimit për Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit.
Sipas tij, pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është një domosdoshmëri në këtë periudhë të ndjeshme gjeopolitike, duke shtuar se çdo vend duhet të vlerësohet sipas meritave dhe përparimit të reformave.
“Në këtë situatë të vështirë në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas përparimit të tij,” – u shpreh Kovaçeviç.
Ai vlerësoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet më të avancuara në procesin e negociatave me BE-në, duke shprehur bindjen se në vitet e ardhshme disa vende të rajonit do të bëhen anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian.
“Shpresa jonë është që ndër vendet e para që do t’i themi mirëseardhjen në BE të jetë edhe Shqipëria,” – shtoi ai.
Në fjalën e tij, Kovaçeviç theksoi se rajoni duhet të lërë pas ndasitë historike dhe të investojë në bashkëpunim, lidhje ekonomike, tregtare e kulturore. Ai nënvizoi rëndësinë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe simbolikën e kufijve të hapur, duke e cilësuar Shqipërinë si një nga shoqëritë më pro-evropiane dhe euroatlantike.
Duke iu referuar situatës politike në Shqipëri, ai vuri në dukje se, pavarësisht debateve, qëllimi për anëtarësim në BE i bashkon si mazhorancën ashtu edhe opozitën.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Kovaçeviç bëri thirrje për përmbushjen e kushteve të pranuara nga vetë vendi, përfshirë njohjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, duke theksuar se Bullgaria nuk pengon procesin e anëtarësimit, përkundrazi, e mbështet fuqishëm.
“Ne e mirëpresim anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, por çdo vend duhet të përmbushë angazhimet që ka marrë. Ne duam që edhe ajo, njësoj si Shqipëria, të ecë përpara drejt BE-së,” – deklaroi ai.
Në përfundim, Kovaçeviç bëri apel për pajtim rajonal dhe theksoi se e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Europian, në paqe, zhvillim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.


