Ardit Konomi, ish prefekti dhe ish deputeti i PS në qarkun e Korçës ka reaguar në një postim në rrjetet e tij sociale duke kritikuar bashkine e Korçës për mënyrën sesi po vepron me pemët dekorative në këtë stinë të nxehtë vere.
Ja postimi i tij në Facebook
Inercia në mendim dhe veprim, është një prej tipareve më të spikatura që dallojnë strukturat ose organizmat që nuk marrin mundimin ta kurdisin rregullisht orën e tyre.
Duke marrë shkas nga këto ditët e nxehta, dua të flas pikërisht për një shembull të tillë që lidhet me vetë ato dhe me të përditshmen e qytetit dhe banorëve të tij. Praktika e gabuar e prerjes të kurorave të pemëve dekorative në qytet, të cilën ata që e bëjnë e zbukurojnë duke e quajtur krasitje (ndonëse s’ka fare lidhje me të), është një praktikë e krijuar (për arsye të cilat unë nuk kam arritur ti zbuloj dot ndonjëherë) nga fundi i viteve ’90.
Është një shpikje tipike alla këtej nga anët tona, e cila nuk ndeshet askund veçse në qoftë për arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me estetikën dhe funksionin për të cilin ato pemë janë atje. Vazhdon të vazhdojë për arsye pa arsye çdo vit.
Unë personalisht e kam diskutuar disa herë me autoritetet përgjegjes dhe meqënëse asnjëherë nuk kam marrë ndonjë argument mbështetës, dëshiroj të jap këtu në vijim disa të tilla kundërshtuese në lidhje me këtë çështje të cilën e gjykoj të rëndësishme.
Sot ekzistojnë pak studime por thuajse të gjitha dakordësojnë se që një zonë urbane të mundësojë kushtet më të mira të jetesës për popullatën për sa i takon cilësisë së mjedisit, duhet të ketë një mbulesë të gjelbër (kryesisht pemë të larta) të paktën në masën 40% të sipërfaqes të saj.
Mbulesa e gjelbër e Korçës siç matet nga foto ajrore, qëndron në masën 16-18%. Pemët janë tejet të rëndësishme në rregullimin e mikroklimës të një zone. Shkencërisht, një pemë e vetme e përmasës mesatare, mund të evapotranspirojë 200-250 litra ujë në ditë nga toka drejt atmosferës, duke ruajtur kështu parametra optimale të lagështisë në ajër dhe thyerje të tendencës për fenomene ekstreme të motit.
Njëkohësisht, në mjedisin urban pemët me kurorë janë faktorët kryesore për minimizimin e ndotjes urbane dhe rregullimin e temperaturave. Vjet në hyrje të pranverës, së bashku me një mik dhe koleg ekspert mjedisi, kemi bërë disa matje krahasuese në zona të ndryshme të qytetit për të parë nivelet e ndotjes. Nuk di se sa prej jush i’u ka qëlluar ta vënë re ndonjëherë që në Korçë ka një rrugë ku pranvera vjen një ose dy javë më parë se në gjithë të tjerat.
Është Rruga 10 Korriku që fillon nga Rrethqarkullimi i Trekëndëshit dhe përfundon në unazën jugore të qytetit. Për shkak të një kombinimi faktorësh, pemët përgjatë kësaj rruge çelin shumë më herët se ato në pjesët e tjera të qytetit. Në kohën që kemi bërë matjet, gjethëzimi në këtë rrugë ishte thuajse i plotë ndërkohë që në të tjerat nuk kish filluar ende. Me ndihmën e një aparati portabël Trotec, në këtë rrugë kemi regjistruar thuajse gjysmën e prezencës të grimcave PM10 dhe PM2.5 si gjatë paradites ashtu edhe pasdite, në krahasim me Rrugën Partizani që gjendet pak më lart.
Dy rrugë me të njëjtën fizionomi, të njëjtin trafik, të njëjtën tipologji ndërtimesh, të njëjtin frekuentim. Ndryshimi i vetëm – prania e kurorës të gjelbër.Sot në orën 10.00 temperatura e matur në pjesën e sipërme të Bulevardit Fan Noli tek pjesa e sapoqethur (foto 1) midis Gjykatës të Apelit dhe Birra Korça, shënoi 34* Celsius.
Në orën 10.10 temperatura e matur tek pjesa më e poshtme e Bulevardit Fan Noli e qethur vjet (foto 2) shënoi 31* Celsius. Në orën 10.20 temperatura e matur tek Bulevard Republika (foto 3) shënon 27* Celsius.
Ndryshimi midis tyre – dendësia e kurorës së gjelbër.Mjafton kaq për të mos e zgjatur shumë sepse ka edhe një mal me argumenta që mbështesin domosdoshmërinë për jo vetëm mos e prekur por shtuar me çdo metër katror të mundshëm, mbulesën e gjelbër. Njëkohësisht dhe për fat të mirë ekzistojnë edhe metodologjitë edhe praktikat e mira se si arrihet kjo.
Shpresoj që ky shkrim i shkurtër të shërbejë për të krijuar vetëdijen se praktika e padobishme dhe e pakuptimtë e qethjes sistematike të kurorave të pemëve, duhet të ndalet së vazhduari për inerci, si hap i parë i një përqasjeje korrekte ndaj mjedisit urban.
Më e mira mandej do të ishte të shkohej përtej me veprime konkrete për ripyllëzimin e kodrave të qytetit duke gjetur gjuhën e përbashkët me pronarët e atjeshëm dhe ripyllëzimin e brezave mbrojtës të fushës bujqësore rreth Korçës. Është koha që të shihet dhe të kuptohet se çdo punë dhe projekt në favor të mjedisit, kthehet shumëfish në mirëqënie të njerëzve.