Ditët e fundit kthimi i universitetit “Fan S. Noli” në Korçë si një filial i Universitetit të Tiranës është kthyer në temë diskutimi në qark. Edhe prof.Ardit Komomi ka shprehur mendimin e tij mbi vendimin e seantit të universitetit. Ja çfarë thotë ai;
Pa gjysmë të vërteta, nëse e zemë se s’ka ndodhur fare ajo vendimmarrja shqetësuese e senatit dhe gjithçka është si më parë, mendon dikush që Universiteti Fan S. Noli i Korçës funksionon mirë dhe mund t’i mbijetojë tregut?
Sa njerëz, sa familje njihni që nëse nuk do ta kishin nga halli, do preferonin t’i çonin fëmijët e tyre për studime të larta atje?
Kush do t’a dërgonte pinjollin e tij ose cili i ri ambicioz do të zgjidhte të studionte në një universitet i cili standardin e pranimit e ka ulur në kufijtë e notës 6?
Natyrisht që ka edhe biznese që ushqehen prej hallit por ky nuk duhet të jetë kurrsesi rasti i një universiteti.
Ndonëse flasim për Universitetin e Korçës, pak a shumë e njëjta ndodh me shumicën e universiteteve rajonale. Për shumë kohë, këto institucione të arsimit të lartë ofruan një biznes të qëndrueshëm me paga të mira në qytetet kryesore ku baza industriale u venit.
Tanimë kushtet kanë ndryshuar për shkak të deformimit të faktorëve që mbajnë themelet funksionale të këtyre lloj organizmave. Të demografisë, tregut dhe politikave qeverisëse që janë faktorët kryesorë të nevojshëm për mbijetesën e universiteteve të tilla.
Ndërkohë që mbetet i pandryshuar superfaktori përcaktues për suksesin e tyre dhe që njëkohësisht është edhe dallimi midis institucioneve të suksesshme që janë në kontroll të së ardhmes të tyre dhe atyre që luftojnë për mbijetesë. Vetëdija për nevojën për ndryshim.
Sot UNIKO nuk duket të ketë asnjë prej tyre në favor. Për të katërtin vit rresht, Korça rezulton statistikisht të jetë më i braktisuri nga qytetet e mëdha të Shqipërisë.
Mesatarja e periudhës që pas vitit ‘91 e deri më sot, duket që qëndron pak a shumë në të njëjtat nivele. Korça gjithashtu mban një nga vendet e fundit në renditjen kombëtare për lindjet në raport me vdekjet.
Rajoni më i gjerë furnizues i universitetit, që shtrihet rreth e rrotull saj, lëkundet në të njëjtat ujëra.
Ndërkohë, universitetet tona të cilat janë shumë prapa në përpjekjen për t’u shtrirë në hapësirën online dhe atë të inovacionit, mbështeten tradicionalisht në gjindjen lokale e cila synohet po aq tradicionalisht të tërhiqet fizikisht brenda auditoreve. Me pak fjalë raportin me demografinë në rastin tonë e kemi tërësisht në disavantazh.
Tregu i punës është tkurrur shumë në Korçën që dikur ziente nga njerëzit, profesionistët, industria, bujqësia, teatri, kinematografia, e shumë të tjera.Modeli i sotëm administrues i bashkisë vijon ta ngjeshë gjithçka brenda valixhes të vogël të turizmit duke injoruar çdo hapësirë tjetër potenciale zhvillimi dhe kësisoj duke e shtyrë larg nga Korça pjesën më të mirë dhe më energjike të kapaciteteve të ardhshme njerëzore teknike që sot i shohim gjithnjë e më rrallë në trajtën e të rinjve ambiciozë e me ëndrra për të ardhmen e tyre.
Mungesa e kërkesës dekurajon ofertën dhe krijon boshllëk të pambushshëm lehtë. Duke u mbajtur vetëm tek qëndrimi kritik dhe duke i lënë për një herë tjetër shumë punët e mira të bëra, mendoj se ka një numër elementesh të veprimit politik në përgjithësi, që janë të gabuara dhe që kanë dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme prognozën e këtij qyteti dhe rajonit rreth tij. Po t’i referohesh kësaj pjese dhe të analizosh gjithçka ka ndodhur fillimmbarim, dallohet një kronikë e gjatë fundesh të paralajmëruar që kanë pasuar njëri-tjetrin.
Filluar pas ‘erës të re’ me shkatërrimin e traditës industriale, mpakjen e klasës së mesme, sa e sa të tjera deri tek vendimmarrja e fundit për hartën e re të gjyqësorit e cila nuk reflekton asfare as interesin qytetar dhe as atë zhvillimor të vendit, çdo strategji e këtij standarti e shndërruar në vendimmarje dhe më pas në aksion, ka qenë çdo herë grusht në mjekër për ne.
Politika centralizuese është mbytëse për Korçën dhe për çdo pjesë tjetër të vendit që nuk quhet Tiranë. Është shkatërruese për territorin, është shumë vështirësisht reversibël për demografinë është sarkofag për potencialin ekonomik vendor.…dhe ky nuk është një qëndrim lokalist. Është eksperiencë e përditshme. Është përfundim i nxjerrë pa ndonjë mundim të madh, nga të gjitha proceset e ngjashme të ezauruara dhe/ose në zhvillim e sipër, në shumë vende të tjera përfshirë dhe ato flamurtaret e të bërit siç duhet. Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa ajo që vërehet lehtësisht sot tek ne, në këndin e ecurisë të institucioneve arsimore është që jo të gjitha këto institucione janë njëlloj të cënueshme dhe të rrezikuara, ndërkohë që risku potencial respektiv nuk ruan një raport stabël më cilësinë e ofruar nga institucionet e krahasuara.
Shkollat dhe spitalet rajonale po thahen çdo ditë e më shumë ndërsa në zonën qëndrore urbane të vendit, të njëjtat profile lulëzojne dhe shtohen përditë. Ata bëhen çdo ditë e më të fortë ndërkohë që sistemet rajonale luftojnë për mbijetesë. Jo gabimisht përmenda edhe spitalet në fjalinë më lart, sepse në çdo model të suksesshëm të aplikuar deri më sot, treshja që heq udhën përbëhet gjithmonë nga qeverisja lokale, sistemi shëndetësor dytësor (pra spitalet) dhe institucionet arsimore të nivelit të kolegjeve ose universiteteve.
Për t’iu rikthyer rastit tonë, nëse do tentoja ta justifikoj ngjarjen në fjalë, do të thoja që është bërë për ta mbrojtur universitetin nga falimenti i mundshëm. Për ta vendosur nën një ombrellë që vërtet nuk do ta mbajë fare të thatë por të paktën do ta shpëtojë nga breshëri. Sidoqoftë nën një ombrellë që mbahet nga një dorë tjetër që po të lodhet, të le edhe në mëshirë të stuhisë. Edhe në mos qoftë kështu, prapë kjo mbetet ajo rruga e shkurtër. Ajo që thonë që asnjëherë nuk është e sigurt dhe që gjithmonë të nxjerr gjatë. Një rrugë që gjithashtu nuk respekton as historinë e as emocionin patriotik legjitim të qytetit që ka shkruar pjesën më krenuese të historisë të Shqipërisë.
Në këtë kuadër, parakushti për të krijuar një mjedis antacid që do të stimulonte zhvillimin dhe përparimin do të ishte bashkëplanifikimi dhe bashkëveprimi i të paktën tre elementeve kyç të organizimit lokal; bashkisë, universitetit, spitalit rajonal. Që të tre mbulojnë sektorët jetikë më të ndjeshëm për mirëqënien e komunitetit por bashkia si organi më i drejtpërdrejtë, me shtrirjen më të gjerë, i zgjedhur, me ngarkesën më të lartë të përgjegjësisë dhe burimet njerëzore dhe financiare më të mëdha, duhet të vendoset në qendër të këtij bashkëpunimi.
Në praktikë, referuar standarteve dhe hapësirave në të cilat operon tregu i sotëm dhe në kushtet e disavantazhit të fortë demografik në të cilin gjendemi në këtë moment, unë nuk arrij ta shoh dot UNIKO si universitet rentabël në afat të shkurtër pavarësisht përpjekjeve që mund të bëjë për të dalë përtej kufijve aktualë. Për fat të mirë të tij, në këtë gjendje ndodhen edhe shumica e universiteteve rajonale në Shqipëri.
Them për fat të mirë sepse në rast se Korça do të ishte një rast i izoluar, shanset për të fituar vëmendje dhe për t’u mbështetur do të ishin ndoshta zero. Ndarja e të njëjtit fat me siblingët e tjerë, i jep mundësinë rastit të bëhet fenomen dhe fenomenit të shndërrohet në çështje që merr vëmendje dhe siguron trajtim. Kjo bën të mundur atë që unë e shoh si zgjidhjen më të qëndrueshme; – përfshirjen strategjike të qeverisë pa ndërhyrjen e të cilës e shoh vërtet shumë të vështirë mbijetesën e këtyre institucioneve të brishta në një treg i cili i vendos përballë të mëdhenjve të preferuar dhe të llastuar.
Me planifikim, profilizim, standartizim, e gjithë modalitetet e tjera njohura. Vetëm me centralizim jo. Gjenden rrugë të shkelura, të mësuara nga përvojat dhe traditat më të mira, tashmë të njohura dhe të provuara për se si mund t’iu jepet e ardhme dhe frymëmarrje universiteteve lokale në emër të zhvillimit rajonal, mbështetjes të ekonomive vendore dhe komuniteteve të lidhura me to. Mbase jo për t’i mbajtur përjetësisht në sqetull por t’iu dhënë të paktën kohën e nevojshme dhe mundësinë për të përparuar dhe për t’u vetëvendosur në treg me proaktivitet dhe vetëdije për ndryshim.
Kjo është mendësia me të cilën janë trajtuar kriza të tilla në shumë modele të mira ndërkombëtare.
Mendoj se kjo duhet të jetë edhe tona, sidomos dhe përsakohë që tregu ynë është përgjithësisht aq i papjekur dhe aq i dobët sa aplikimi i parimeve të ftohta të ekonomisë të tregut duke përjashtuar orientimin dhe ndërhyrjen e qeverisë në të paktën disa prej sektorëve strategjikë, nuk jep asnjë prognozë optimiste për të ardhmen afatmesme. Tingëllon si përqasje ultramajtiste por në fakt vjen si përvojë e adaptuar nga vendet me traditën më të lartësuar të kapitalit dhe tregut të lirë.
Është një mekanizën që nuk cënon asnjë parim ekonomik nëse planifikohet dhe zbatohet siç duhet dhe gjen konsesusin brenda kuadrit të autonomisë të fituar tashmë prej këtyre institucioneve. Është një zgjidhje e nevojshme për të shmangur një tranzicion të ri në sistemin tonë të arsimit të lartë dhe besoj se jemi në vendin dhe në kohën e duhur për të.


