Policia e Shtetit ka publikuar pamjet zyrtare nga momenti i arrestimit të të dyshuarve Ergys Agasi dhe ish-punonjësit të policisë, Uljan Shpataraku, ngjarje e ndodhur në zonën e Plepave në Durrës. Sipas pamjeve të bëra publike, dy të arrestuarit po qarkullonin me një automjet luksoz të tipit “Audi” në momentin kur janë ndaluar nga forcat e rendit.
Gjatë operacionit të arrestimit, Ergys Agasi është shfaqur i veshur me rroba sportive, konkretisht me tuta të shkurtra, bluzë të bardhë dhe shapka. Po ashtu, në pamjet e siguruara vihet re se ai ka ndryshuar modelin e flokëve, duke i prerë ato shkurt, ndryshe nga imazhi i tij i mëparshëm publik. Në momentin e shoqërimit me pranga në duar, i dyshuari mbante edhe një orë sportive me ngjyrë të bardhë.
Ky zhvillim vjen pas masave të marra nga organet e drejtësisë, ku më herët është raportuar se SPAK ka sekuestruar makinën luksoze të Ergys Agasit pas arrestimit të tij. Të gjitha veprimet procedurale ndaj të dyshuarve po ndiqen nga strukturat përkatëse hetimore në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë.


