Artizanët e Korçës, të cilët prej dekadash kanë ruajtur me fanatizëm punimet tradicionale po shkojnë drejt zhdukjes. Pa asnjë mbështetje nga pushteti vendor apo qendror, por edhe larg interesit të të rinjve, janë të paktë ata që ruajnë me fanatizëm këtë traditë.
Sapo hyjmë në Pazarin e Korçës shohim restaurimin tërësor si pjesë e ansamblit karakteristik të pazarit, godinat karakteristike, tregtare dhe të artizanatit me vlera arkitekturore dhe artistike. Ndërtesat pas rikonstruksionit e kthyen këtë zonë të qytetit në një nga atraksionet turistike më të veçantë për turistët vendas e të huaj. Godinat karakteristike ruajnë arkitekturën e veçantë, të cilat tregojnë më së miri historinë e kulturën e qytetit. Qendra është rijetësuar, ku tani nuk ekzistojnë vetëm dyqanet e dikurshme që shisnin mallra, por ka plot bare, restorante etj, ku ruhen elementë të veçantë tradicionalë. Ajo çka na tërheq vëmendjen në rrugicat e pazarit janë sigurisht artizanët. Me dashuri, pasion dhe fanatizëm ruajnë ende zanatet e trashëguara brez pas brezi.63-vjeçarin Pëllumb Kovaçi e gjejmë pranë punishtes së tij. Padyshim mbiemri i tij tregon për profesionin dhe pasionin prej 50 vitesh dhe trashëgiminë ndër breza. Në punishten e vogël nuk mungon as fotoja e stërgjyshit të Pëllumbit për të treguar se ai e mbajti gjallë zanatin e familjes Kovaçi.
“E kam trashëguar prej brezash këtë zanat, në foto kam edhe stërgjyshin, pasi ai ka ndërtuar dyqanin ku unë punoj aktualisht. Këtë profesion e kam pasur pasion që në fëmijëri. Vija me babanë dhe gjyshin dhe punoja, dhe më pëlqente teksa dalëngadalë u bë pjesë e imja, pasioni im. Me këtë vazhdova gjithë jetën”, rrëfen ai.
Kovaçi kujton me nostalgji kohët e mëparshme, ku nuk kishte fabrika e uzina dhe ai mund t’i vinte në ndihmë njerëzve, duke i ofruar gjithë çfarë i duheshin për mbarëvajtjen e punës së tyre.
“Në kohët e mëparshme ka pasur punë se nuk kishte uzina, fabrika dhe kovaçana i mbante me vegla njerëzit që punonin në bujqësi, ndërsa tani ka ndryshuar koha veglat i bëjnë me derdhje dhe kanë më shumë lehtësira. Pra ne na ka humbur vlera dhe nuk mund të marrin tek ne, se ne na shkon me kosto. Unë këtë periudhë jam marrë me riparime, u mpreh sëpatat, kazmat, çekanët e muratorëve dhe shumë rrallë mund të bëj vegla. Por nëse duan një vegël të mirë e bëjnë tek ne. Shumica e fabrikave i bëjnë me metale të përziera duke humbur cilësinë me gizë etj”, shprehet kovaçi.
Aleksandra Gjinko është një tjetër artizane e qytetit të Korçës. 65-vjeçarja merret me artin e të punuarit me dorë: ajo qëndis, thur me grep, kanavace, makrame, thurje çantash, qilima etj. Aq intensivisht ka punuar sa duke vënë buzën në gazë shprehet:
“Nuk e mbaj mend sa vite kanë kaluar që nga nisja e këtij zanati, por pasionin tim asnjëherë s’e kam lënë pas dore. Edhe tani që jam pensioniste vazhdoj të punoj. Çdo natë ëndërroj ça do bëj të nesërmen, aq pasion e kam punën e dorës”, thotë e moshuara artizane.
Aleksandra së bashku me 100 shoqe të tjera nga rrethi i Korçës kanë krijuar shoqatën “Arti në duart e gruas”.
“E vetmja ndihmë ka qenë nga Ministria e Kulturës, e cila na ka vënë në dispozicion këtë dyqan për të reklamuar mallin. Nuk e di çfarë do të ndodhë, pasi të mbarojë kjo kontratë 4-mujorshe. Është e vetmja ndihmë që kemi marrë, asnjë ndihmë tjetër, vetëm duke çarë vetë. Askush nuk mund të përballojë shpenzimet, taksat dhe qiranë. Nëse na ndihmojnë nga ministria apo bashkia ne do vazhdojmë traditën që po shuhet avash-avash, por vetë nuk mundemi. Vetë kemi punuar online, duke shitur punimet nga interneti. Punojmë vetë në mënyrë private”, rrëfen Aleksandra.
Punimet e dorës të realizuara me aq mjeshtëri nga këto gra janë për tu admiruar, madje janë të shumtë vizitorët që ndalen para dyqanit që të kundrojnë këto punë dore ose shpesh edhe blejnë.
“Janë shumë të preferuara se vijnë njerëzit afrohen pyesin, por nuk ka edhe shumë të ardhura , nuk arrijnë t’i blejnë. Pandemia ka ndikuar jashtë mase edhe tek ne. Nuk kishte pothuajse fare kërkesa, ndërkohë që ka gra që të ardhurat e vetme i kanë pikërisht nga shitja e këtyre punimeve”, shprehet Aleksandra, teksa theksin e vë tek mbështetja që shteti duhet t’i ofrojë këtyre grave që duan të trashëgojnë traditë e punës së dorës brez pas brezi.
“Duhet të ketë një projekt, stimulim apo mbështetje nga ministria apo bashkia që të mos shkojë drejt zhdukjes puna e dorës. Punimet e dorës nuk vlerësohen në Shqipëri. Jashtë shtetit janë shumë të vlefshme, por ne e kemi të papërballueshme të udhëtojmë dhe t’i ekspozojmë se nuk kemi ndihmë të tillë nga shteti. Nëse pushteti nuk vë dorë, tradita do humbasë, pasi pasioni ynë nuk vlerësohet e nuk promovohet”, thotë ajo
Ajo rrëfen se të rinjtë e interesuar për të përvetësuar këtë zanat janë të pakët, pasi ata pasionohen pas gjërave që e kanë fitim më të ekspozuar. Nëse do ishte një biznes fitimprurës, ajo thotë me bindje se interesi do ishte më i madh tek të rinjtë. Por pavarësisht gjithçkaje, ajo ka një apel për ta.
“Apeli im për të rinjtë është ta vlerësojnë dhe të kenë interes për punën e dorës. Nëse të rinjtë janë të interesuar, ne patjetër që jemi të gatshme t’i ndihmojmë dhe t’i mësojmë. Është një traditë që po shuhet dhe është gjynah që në Korçë kjo traditë e trashëguar brez pas brezi të humbasë”, përfundon Aleksandra.
Kurse Resul Xhambazin, 71 vjeç, e shohim çdo ditë në hyrje të pazarit të Korçës duke shpresuar të shesë shportat e thurura aq bukur. Janë të paktë mjeshtrit si ai në Korçë, të cilët kanë vazhduar këtë traditë prej brezash.
“Këtë zanat e kam mësuar nga babai im, e ky i fundit nga gjyshi. Kam rreth 60 vite që ushtroj këtë profesion. Mbaj mend që punoja me babanë, mund të isha 7-8 vjeç dhe bëja trupin e zamzanes (shishes së rakisë) dhe më pas babai i jepte formën e duhur deri te gryka e shishes. Gjatë kohës së komunizmit u futa në ndërmarrje dhe punoja për familjarët ose kush ishte i interesuar. Nuk ka ndonjë fitim kushedi çfarë, por jam i kënaqur. Nxjerr bukën”, tregon ai me një sinqeritet që i lexohet në sy lehtësisht.
Si të gjithë artizanët e tjerë edhe ai dëshiron që thurja e shportave të mund t’i trashëgohej fëmijëve të tij por pse jo edhe brezave të tjerë.
“Do doja që traditën familjare ta trashëgonin edhe djemtë por ata janë jashtë shtetit dhe nuk e kanë mësuar. Mbase kanë ndrojtje dhe turp nga ky profesion, mentaliteti dhe të menduarit gjithmonë ndikojnë për keq”, shprehet Resuli, ndërsa edhe ai dëshmon faktin se nuk kanë pasur asnjë mbështetje qoftë nga pushteti lokal, e qoftë nga ai qendror nëpërmjet programeve të ndryshme apo edhe lehtësimeve të taksave.
“Asnjëherë nuk jemi përkrahur nga institucionet, gjithmonë jemi nënvlerësuar. Kjo traditë po humbet dita – ditës. Të rinjtë s’kanë interes, se e kanë mendjen të ikin një minutë e më parë nga ky vend, kështu ka vepruar politika në vend, e cila vetëm vjedh”, përfundon 71-vjeçari, i cili mendon që ta vijojë këtë zanat deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Bashkia e Korçës pohon faktin se nuk ka dhënë asnjë ndihmë financiare apo stimuluese për promovimin e traditës në pazarin e Korçës, dhe nuk ka një program mbi këtë sektor. Këta artizanë thjesht mbijetojnë sot duke ditur se e nesërmja do të sjellë gjithnjë e më shumë modernen, ndërsa rrezikon kështu të humbasë dhe askush të mos vijojë traditën që me aq fanatizëm e kanë ruajtur ndër breza deri tani.