Bashkia Maliq Nis Rikonstruksionin dhe Asfaltimin e 10 Rrugëve në Fshatra
Maliq, Tetor 2024 – Bashkia Maliq ka nisur një projekt madhor për rikonstruksionin dhe asfaltimin e dhjetë rrugëve kryesore në disa fshatra të zonës. Punimet financohen nga fondet e bashkisë dhe janë pjesë e një nisme për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën rurale, pas kërkesave të shumta nga banorët.
Nënkryetari i Bashkisë Maliq, Eridjon Rustemi, tha se zgjedhja e këtyre dhjetë rrugëve ishte bërë për shkak të gjendjes së tyre të amortizuar dhe nevojës urgjente për ndërhyrje.
“Këto rrugë kanë qenë në gjendje të rënduar dhe kanë penguar lëvizjen e banorëve, prandaj ishte e rëndësishme që të ndërhynim,” theksoi Rustemi.
Një nga fshatrat ku punimet kanë nisur është Vloçishti. Banorët e fshatit janë të kënaqur me nisjen e rikonstruksionit, duke e konsideruar një përmirësim të madh për jetën e tyre të përditshme.
“Rruga ishte në gjendje shumë të keqe dhe tani që po rregullohet, jemi më të qetë për lëvizjen, sidomos në kohë të keqe,” tha një nga banoret lokale.
Këtë vit, Bashkia Maliq ka përfunduar rikonstruksionin e dhjetë rrugëve të tjera, duke vazhduar përpjekjet për të lehtësuar qarkullimin dhe për të rritur cilësinë e jetës së banorëve të zonave rurale.


