Për ata që janë rritur me realizimet e kinostudios shqiptare të para viteve ’90-të, filmi “I teti në bronx” ka një personazh si Spiro Qëndro, dhëndëri i doktor Kristo Borova, që ky e fundit e ndau nga e bija si spiun të gjermanëve.
Subjekti i filmit, bazuar te romani i Dritëro Agollit “Komisari Memo”, në fakt i referohet personave realë, dhe që artistikisht u transformuan në personazhe negative për kohën.
Nëse për Sejfi Protopapën, ish eksponent i Ballit Kombëtar të sjellë në film si personazhi i egër dhe gjakatar i Sali Protopapës shkrimtari Dritëro Agolli pranoi një Mea Culpa (vetëfajësi) kur u përball me Sejfiun e ardhur si emigrant nga SHBA, kjo nuk ndodhi me Skënder Stefanllarin.
Ish djalit të tregëtarit të njohur të makinave qepëse “Singer” në Korçë, i rezervohej një fat tepër i hidhur. Para se ta shihte veten krejt të gënjeshtërt te roli i interpretuar nga Bujar Kapexhiu si Spiroja i filmit “I teti në bronx” Skënder Stefanllari shtrëngoi dhëmbët e kafshoi gjuhën për të tjera sfida jetë a vdekje.
“Unë kam lindur në Korçë më 1923, 18 maj. Nga një familje me prejardhje nga Kolonja, nga Lëngëzi i Kolonjës. Qytetar i mesëm. Babai im ka qenë tri herë në Amerikë, ecejak, emigrant. Edhe pastaj është kthyer më 1919. Miku i ngushtë i Fan Nolit, madje kur erdhi Fan Noli këtu, ai e shoqëronte në Korçë. Kur erdhi në ’20-ën, flas. Babai im ishte me profesion përfaqësues i shoqërisë amerikane të makinave “Zinger”. Shoqëri e madhe amerikane me famë botërore. Kur erdhi nga Amerika pastaj, u martua me mamanë. U martua me të, duke e njohur në Misionin Ungjillor Amerikan, “Kenedi” këtu në Korçë.
Çfarë ndodhi me babanë dhe familjen pas luftës?
Në 1950-ën, u bë një arrestimi i madh tregtarësh këtu në Korçë, më 8 dhjetor 1950. Këta i akuzonin, babanë, për “agjent amerikan”, “agjent të grekut” e ku e di unë se çfarë. Të tërë këta të Korçës, tregëtarët e Korçës. Kur e kanë arrestuar atë natë, unë kam qenë brenda. Ishte i sëmurë.
Unë isha nënpunës bashkie, kisha punuar në bashki atje. Në bashki më mori kryetari i bashkisë Kristo Kirke. Edhe më0 mori atje se unë isha besnik i tij, sepse atje ishte qendra e Ballit Kombëtar.
Sa ju dënuan?
Në fillim, 30 vjet, “kriminel lufte”, “armik populli”. Më vonë, u normalizuan ligjet edhe të gjithë ata që ishin 30… Sepse në atë kohë kishte 30, 40, 50, 70, 100 vjet.
Sipas cilit ligj u dënuat?
Dy nene ishin: kriminel lufte, armik populli. Mua, pastaj, ma hoqën “kriminel lufte”, më lanë vetëm “armik populli”. Atëherë, nga 30, u zbrit në 20. Pastaj, më bën edhe një falje, 5 vjet dhe një herë 3 vjet, se në atë kohë, në fillim kishte falje, më vonë u prenë” ka sjellë kujtimet në gjallje të tij Skënder Stefanllari.
Ai i mbijetoi burgut të rregjimit komunist, por deri vonë që jetoi si një qytetar i respektuar në Korçë, nuk mund të kapërdinte trillimet për veten dhe familjen e tij. Se ndryshe nga ajo që përcjell filmi “I teti në bronx” jo vetëm nuk u nda nga Dadajka, vajza e doktor Sotir Polenës, por pati me atë edhe dy fëmijë.
Bashkëkohës të Skënder Stefanllarit kujtojnë se ai dhe vajza e doktor Sotir Polenës, Dadajka, ishin nga çiftet më të bukura të kohës në Korçë. Dhe sipas dëshmive të tyre, vajza e doktorit të famshëm korçar me bukurinë e saj ishte frymëzim i serenatave njëherë e një kohë. Ndërsa ndau dramën e jetës së vet me një bashkëshort të burgosur gjatë, si djali i një prej tregtarëve më të njohur në Korçë, mik i të madhit Fan Noli.


