Nga sot (17 shtator 2024), Kinema Mazhestikut të Korçës, i hapen dyert që i rrinë mbyllur për 360 ditë dhe zemra i gufon për këto 5 ditënata, deri të shtunën, me rastin e Festivalit të Filmit me metrazh të shkurtër (KO:SH).
Eja edhe ti. Gjeje kohën dhe bëju mukahet, se ja vlen. Mbase filmi i shkurtër dhe fuqia që ky ka, për të përcjellë emocion dhe mendim në pak kohë, nuk të vjen dhe aq familjar. Apo që në vend se të shohësh 1 film të gjatë, gjen çudi në përjetimi i 1 dyzine filmash të shkurtër, njëri pas tjetrit, me botëkuptime nga anë e kënd botës, të cilat do kalojnë edhe në sitën e 1 jurie, që do përzgjedhë fituesit. Ama Kinemaja është Kinema, errësirës krah për krah. Në vitet e kaluara, ky Festival Filmi ka dalluar për gamën e gjerë të temave të trajtuara, ndonëse ndonjëherë të duket sikur filmi më shpejt mbaron se fillon.
Kohët janë të vështira, megjithë dobinë e dialogut ndërkulturor dhe rrekjes për t’u takuar me universalen brenda nesh, sipërmarrje të tilla rrallë herë marrin mbështetjen e duhur, e sidoqoftë, edhe kësaj here, prushit nën hirin e mbluar, në pritje për ta hijeshuar, siç Mazhestiku e meriton, me mangall shpirtëror arti, po i fryjnë Gledis Bica dhe Ajsela (organizatorët) duke na sjellë me përkushtim, punën dhe krijimtarinë e një morí kineastësh, aktorësh, regjizorësh, muzikantësh, fotografësh e skenaristësh, që nxjerrin në dritë lëndën e parë të këtij Festivali.
Të paktën t’i mbështesim me prani. Si qytetarë. Si artdashës, sado ekzotik qoftë ky zhanër, por që mund ta takojmë e ta njohim FALAS, për 5 ditë e 5 net me rradhë.
Sikur filmi i gjatë të krahasohej me prozën, romanin, atëhere ndoshta filmi i shkurtër do të ishte poezia. Dhe meqë jemi tek poezia, le të kujtojmë fjalët e Lasgush Poradecit, për të cilin, kur lëngonte në spital, tek kjo kinema do të mbahej një koncert bamirësie, për shërimin e tij: …”një poezi duhet të jetë jo vetëm e bukur, por edhe aq e gjatë sa të mos e mërzisë lexuesin”.
Shpresoj sa më pak mërzitje të pjesëmarrësve dhe uroj shumë suksese për organizatorët!


