Në ambientet e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë u zhvillua sot tryeza e diskutimit me temë “Fol Shqip: Një monitorim dhe debat rreth gjuhës shqipe në TV”, një nismë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe në mediat audiovizive.
Veprimtaria u organizua nga Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), si pjesë e një fushate për përmirësimin e cilësisë së gjuhës në raportimet mediatike.
Qëllimi kryesor i kësaj tryeze ishte të nxitet përdorimi sa më i saktë dhe i pastër i shqipes në raportimet e gazetarëve, duke e konsideruar këtë si një element thelbësor të etikës profesionale në media.
Në takim morën pjesë gazetarë të mediave lokale dhe kombëtare, si edhe studentë të gazetarisë, të cilëve iu prezantua edhe një studim i posaçëm i kryer nga ISHM, i cili analizon shkallën e përdorimit të fjalëve të huaja në mediat audiovizive shqiptare.
Kjo nismë vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AMA-s për të mbrojtur dhe promovuar gjuhën shqipe, në një kohë kur ndikimet e huaja në gjuhë janë gjithnjë e më të pranishme në hapësirën mediatike.


