Në Maliq, fermerët vuajnë për të shitur prodhimet bujqësore. Drithërat kanë mbetur stok në magazina dhe sot shërbejnë si ushqim për brejtësit, sepse nuk po gjejnë rrugën e tregut. Fermerët thanë se prodhimi vendas nuk shitet për shkak të konkurencës së pandershme dhe importit me shumicë nga Ukraina e Serbia.
Fermerët e fshatit Sheqeras në Maliq, të cilët masivisht kultivojnë drithrat nuk kanë gjetur treg për misrin dhe grurin. Depot e drithrave janë plot, ndërsa sipas tyre të vetmit përfitues janë brejtësit. Fermerët shprehen se çmimi i drithrave varion nga 22 – 25 lekë për kg me shumicë, ndërsa çmimi duhet të ishte jo më pak se 35 lek për kg, që të justifikonte koston e prodhimit. Ata shprehen se nuk kanë përfituar as suvencionimin e naftës për shkak të burokracive të institucioneve.
“Këtu kam 300 kuintal pa shitur. Tokat i kam marrë me qira, kam shpenzuar për farën për plehrat kimik dhe tani nuk nxjerr dot shpenzimet. Tregtarët nuk vijnë këtu, tregun e gjejmë vetë në TIK-TOK, se do të na e mbyllë ai (Rama), po aty reklamoj mallin se s’kam mënyrë tjetër. Vitin tjetër s’do mbjell më misër as grurë, do të iki sërish në emigrim, në Itali”, tha një fermer.
Gjithashtu ata shprehen se institucionet nuk janë interesuar aspak për gjendjen e tyre, ndërsa produkti i importit vijon të konkurojë për shkak të çmimit të ulët. Madje ata shkojnë më tej teksa thonë se cilësia e grurit të huaj është më e ulët se produktit vendas.
“S’ka treg fare, na mbyti tregu i jashtëm, vjen grurë nga Serbia e Ukraina. Unë dal me humbje, ka dy-tre vite që nuk shes dot as me çmim të ulët”.
Gjithë prodhimi i mbetur në magazinë po shkon dëm sepse po e hanë minjtë.
“E kam mbjell kot, nuk e shes dot, e ha miu, s’na lë gjë kund miu”.
Në gjithë fushën e Maliqit kultivohet më tepër se 3500 hektarë me grurë me nje prodhim 14 mij ton dhe 3500 ha me misër, me nje prodhim afro 24 mij ton. Ndërsa sipas të dhënave nga fermerët aktualisht ka stok në magazine më tepër se 70% të prodhimit, duke sjell dëm të madhe ekonomik për ta.