Skënderbeu tregoi se mund të tentojë katërshen e kreut, trajneri Gvozdenoviç forcon besimin te skuadra.
Skënderbeu, me fitoren ndaj Egnatia-s, ka marrë vlerësimet më të mira të merituara si nga opinioni sportdashës edhe specialistët e futbollit, duke e bërë edhe trajnerin Ivan Gvozdenoviç të flasë tashmë me më shumë besim për ecurinë e skuadrës.
Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes, Gvozdenoviç nuk ka nguruar të shprehet se ekipi që drejton do të luftojë për katërshen e kreut në javët e mbetura të kampionatit
Sot ishte ndeshje e bukur, e dominuam, ishim shumë mirë në fazën mbrojtëse, në ekuilibër. Sot ishte futboill direkt në fazën sulmuese kur fitojmë topin. Çunat e meritojnë dhe ishin të zgjuar, e dinim si do menaxhohej situata, si do mbrohej rezultati. Tre pikët ishin shumë të rëndësishme për ne sot.
Në pjesën e parë ishte shumë e mirë për ne, pas 2-0 ishim pak me mendimin që të rrimë pak më mbrapa që të luajmë me kundërsulm. Në fillimin e pjesës së dytë Egnatia ishte pak më mirë, se ishte edhe një shtyllë për Egnatian.
Nëse shënonte, shkonte 2-1, pastaj kush e di si mbaronte. Por fati është pjesë e lojës, çunat meritojnë edhe fat.
Menaxhuam mirë, Egnatia është skuadër e mirë e vendit të parë, ka shumë cilësi brenda. Por sot treguam përsëri se jem të fortë, me ekuilibër dhe të shpejtë në tranzicion. Dëshira e madhe është të fitojmë çdo ndeshje, është e vështirë por do e provojmë.
Bilanci mjaft pozitiv me Egnatian?
Nuk di çfarë të them se kemi skuadra që nuk bëmë mirë, si me Vllazninë kemi 0 pikë. Me Egnatian është e kundërta. Me ta kemi shumë. Ky është futbolli, gjithmonë ka një skuadër ku luan më mirë e një tjetër ku nuk je i mirë. Nuk di çfarë mund të them.
Sigurisht do provojmë të rrimë në katërshe. Dinamo e Tirana janë afër, Dinamo ka edhe një ndeshje, gjithçka është e hapur, ka edhe 8 javë. Sigurisht kemi besim të madh dhe do vazhdoje e luftojmë”, tha Gvozdenoviç për “MCN”