Nxënësit e shkollës “Isuf Dalipi” në fshatin Mollaj të Korçës organizuan një panair me zbukurime të krijuara nga materiale të riciklueshme.
Të ardhurat e mbledhura nga shitja e produkteve do të përdoren për blerjen e mjeteve zhvillimore për klasën burimore dhe për të ndihmuar fëmijët me aftësi ndryshe.
Sipas mësueses ndihmëse Xhensila Kokoshi, ky aktivitet synon jo vetëm mbështetjen për fëmijët me aftësi ndryshe, por edhe zhvillimin e ndjenjës së humanizmit dhe solidaritetit tek nxënësit.
Zbukurimet u ekspozuan në zonën këmbësore të qytetit, ku panairi u prit ngrohtësisht nga qytetarët. Shumica e produkteve u shitën, duke dëshmuar interesin e komunitetit për të kontribuar në këtë kauzë të rëndësishme.


