Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Ilirian Pendavinji, në një intervistë ka rrëfyer përfshirjen e tij në politikë që në vitet 1990 si pjesë e lëvizjes studentore të Dhjetorit, e cila kërkonte ndryshimin e sistemit politik. Ai kujton se parulla e parë që mbante në protestat e asaj kohe ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, çka për të përfaqësonte kontaktin e parë me politikën.
Pas kësaj periudhe, ai vijoi rrugëtimin profesional si mjek, profesion të cilin e ushtroi për 15 vite, përpara se t’i përkushtohej plotësisht politikës. I dyzuar mes dy profesioneve, mjekësisë dhe politikës, ai u angazhua fillimisht në forume qytetare, derisa në vitin 2007 nisi bashkëpunimin me Niko Peleshin, kryebashkiakun e atëhershëm të Korçës. Miqësia dhe bashkëpunimi me Peleshin do ta çonin drejt përfshirjes së plotë në Partinë Socialiste.
“Unë në fakt jam marrë me politikë që në vitet 1990, isha student i dhjetorit. Kemi dalë me thirrjen “Liri Demokraci” për ndryshimin e sistemit, fillesat kanë qenë në atë kohë. Parrulla e parë që kemi patur në atë kohë ka qenë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ky është kontakti im i parë me politikën, e më pas vazhdova të merrem me profesionin tim të parë edhe pse kam qenë i dyzuar ndërmjet dy profesioneve, ndërmjet mjekësisë (doktorit) që unë e kam ushtruar për 15 vite dhe politikës që e kam ushtruar për 15 vite të tjera tashmë.
Në këtë kohë jam marrë me angazhimin tim qytetar, nëpër forume qytetare edhe politike, derisa në vitin 2007 kam qenë shumë afër kryebashkiakut që u zgjodh në atë vit, Niko Peleshit. Duke qenë miq të vjetër, punonim bashkë dhe u përfshiva në politikë e kështu hyra në Partinë Socialiste duke u angazhuar maksimalisht“,-tha Pendavinji.
Pendavinji tregon se iu bashkua Partisë Socialiste në vitin 2004, së bashku me një grup të rinjsh që u angazhuan njëkohësisht. Në vitin 2005, me ndryshimin e pushtetit dhe ardhjen e Partisë Demokratike, PS kaloi në opozitë, por Pendavinji vijoi aktivitetin politik si anëtar i thjeshtë në lagjen ku jetonte.
Me kalimin e viteve, angazhimi i tij në organizatat socialiste u thellua, duke nisur me mbështetjen nga figura të njohura lokale si Niko Faberi. Rritja në strukturat e partisë ishte graduale, ku në vitin 2008 u zgjodh kryetar i PS për bashkinë e Korçës, më pas anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe në vitin 2013, kandidat për deputet, detyrë që e mban prej atëherë, duke përfaqësuar qarkun e Korçës.

“Kam hyrë në Partinë Socialiste në vitin 2004, na u bë një ftesë në atë kohë dhe ne ishim një grup të rinjsh që hymë në të njëjtën ditë në politikë. Unë, Nikoja e shumë shokë të tjerë, ishim rreth 30 të rinj që hymë në politikë, pavarësisht se në 2005 ndryshoi drejtimi i Shqipërisë, pasi fitoi PD dhe ne ishim në opozitë që prej atij viti deri në 2013. E kam nisur jetën time politike si anëtar i thjeshtë i partisë. U zgjodha më pas kryetar i një organizate socialiste në lagjen 2 ku unë jetoj. Jam lindur e rritur atje, më pas fillova të punoja intensivisht, merresha me organizatat socialiste.
Kur hyra në fillim kam qenë anëtar i thjeshtë, kam patur Niko Faberin kryetar në atë kohë dhe ai ishte një nga ata që më dha dorën. Më pas ngritja ime u bë gradualisht, duke punuar, u bëra kryetar i Partisë Socialiste të bashkisë së Korccës në vitin 2008. Pas kësaj isha anëtar i Asamblesë Kombëtare e në vitin 2013 kandidova për deputet e prej atij viti jam deputet i PS e përfaqësoj qarkun e Korçës. Vitet e fundit kam qenë në përfaqësim në bashkinë e Maliqit dhe sot përsëri me këtë sistem zgjedhor që ne e ndryshuam vitin e kaluar, jam një nga kandidatët përfaqësues të PS për qarkun e Korccës. Jam shumë i nderuar që do përfaqësoj Korçën si kandidat i PS në zgjedhjet e 11 Majit”,-shprehet Pendavinji.
Për zgjedhjet e 11 majit, Pendavinji është sërish kandidat dhe thekson se ndjehet i nderuar për të përfaqësuar Korçën. Një element që ai vlerëson në veçanti është përbërja e listës së PS, e cila për herë të parë është 100% me banorë të qarkut. Sipas tij, ky përfaqësim real nga njerëzit e zonës është një garanci për komunikim të drejtpërdrejtë dhe efektiv me qytetarët. Ai shton se lista përfshin përfaqësues nga të gjitha shtresat, profesionet dhe gjinitë, ndërsa drejtuesi politik i qarkut, Niko Peleshi, sipas tij, do të udhëheqë sërish PS drejt një fitoreje të bindshme në 11 maj.
“Unë shikoj që në listë janë përfshirë njerëz të të gjitha shtresave, profesioneve, patjetër edhe të gjinive të ndryshme, sepse kodi zgjedhor të detyron të kesh përfaqësi grash, të rinj, njerëz që kanë eksperiencë në politikë dhe drejtuesi politik i Korçës, Niko Peleshi, ka një eksperiencë shumë të madhe dhe besoj se ai do të jetë njeriu që do të drejtojë prapë Partinë Socialiste në fitoren e 11 Majit.
Njerëzit që përfaqësojnë PS, për mua është lista më e mirë e mundshme. Janë të gjithë korçarë, është hera e vetme që ne kemi 100% qytetarë të qarkut të Korçës, banorë që nuk janë larguar dhe besoj se kjo do të gjejë përkrahje masive të votuesve e të njerëzve të qarkut të Korçës sepse dinë ku të votojnë dhe dinë me cilët njerëz duhet të komunikojnë për halle, shqetësime, probleme dhe për mbështetje padiskutim”,-tha Pendavinji.
Pendavinji tha se takimet me qytetarët në fushatë kanë qenë tepër të ngrohta dhe janë pasqyruar edhe në rrjetet sociale. Mbështetja elektorale, sipas tij, është shumë e madhe.
“Takimet kanë qenë shumë të ngrohta, po ta shihni dhe në mediat sociale ku ne postojmë dhe reklamojmë të gjithë aktivitetin tonë politik për fushatën elektorale, kanë qenë shumë të ngrohta. Mbështetja elektorale ka qenë shumë e madhe nga njerëzit”,-tha Pendavinji.
Sa i përket programit të PS, Pendavinji thekson vizionin “Shqipëria 2030 në Europë, me Edin dhe Partinë Socialiste”, një platformë që synon integrimin europian dhe përfshin zhvillim në të gjitha fushatat, me theks të veçantë në shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë dhe investime në rrugë e kanalizime.
“Sa i përket programit, programin e Partisë Socialiste e kemi lanccuar tashmë, “Shqipëria 2030 në Europë, me Edin dhe Partinë Socialiste”. Ky do të jetë edhe vizioni ynë për 4 vjeçarin e ardhshëm. Ne pretendojmë që në 4 vjeçarin e ardhshëm, Shqipëria të jetë e integruar në Europë.
Kjo është baza që ne kemi, më pas programi ynë shtrihet në të gjitha fushat, duke nisur nga mjekësia, e theksoj mjekësinë sepse edhe në komisione kam qenë në mënyrë intensive duke punuar për shëndetësinë. Bujqësia padyshim që është një nga motorrët ekonomikë, duke vazhduar me infrastrukturën, investimet në rrugë, me kanalizimet”,-tha Pendavinji.
Pendavinji shprehet se pavarësisht se njihet ende si “doktori”, tashmë është i përkushtuar tërësisht në politikë, duke e konsideruar atë si kontributin e tij të mëtejshëm. Me 12 vite si deputet, ai theksoi se kurrë nuk e ka lënë pas familjen dhe qytetin që dashuron. Korça, sipas tij, është motivi i jetës së tij dhe forca që i jep energji për të punuar. Edhe pse jeton përkohësisht në Tiranë për shkak të angazhimeve parlamentare, ai deklaron se është çdo javë në Korçë, ku ka edhe pjesën tjetër të familjes dhe ku ndihet vërtet në shtëpinë e tij.
“Mua vërtet më thërrasin “doktori”, gjithë shoqëria, gjithë njerëzit që unë takoj, por tani në këto momente e kam mbyllur pjesën time të profesionit të parë. Tani jam vetëm një politikan që kam investuar, siç e thashë, aq vite sa bëra në mjekësi, kaq më janë bërë edhe që punoj në politikë dhe besoj se ky do të jetë kontributi im i mëtejshëm në jetën time.
Kam 12 vite deputet dhe këto 12 vite nuk e kam tërhequr familjen. Unë e dua Korçën dhe dashuria ime për Korçën është ai “life motive” që më jep forcë për të punuar. Nuk ka javë që unë mos vij në Korçë sepse pjesa tjetër e familjes është këtu. Jetoj në Tiranë ato 3-4 ditë në një shtëpi që kam marrë me qira, kurse pjesën tjetër të jetës e kam të lidhur me Korçën. Nuk e mendoj të largohem ndonjëherë nga Korça, me pëlqen ky qytet, më pëlqejnë rrugicat, më pëlqen lagjia. E dashuroj Korçën”,-tha Pendavinji.
Duke folur për garën politike, Pendavinji vlerëson listën e PS si më të mirën krahasuar me atë të Partisë Demokratike, por pa hyrë në komente personale për kandidatët e partive të tjera. Për partitë e reja dhe ato me natyrë populiste, ai u shpreh kritik, duke thënë se premtimet e tyre janë të parealizueshme dhe se mungesa e programeve konkrete i bën ato të dështuara që në nisje. Sipas tij, pretendimet për të qenë anti-establishment nuk qëndrojnë kur në listat e tyre përfshihen figura të vjetra të politikës.
“Ne kemi përballë Partinë Demokratike në fakt dhe lista jonë në krahasim me listën e tyre më duket shumë herë më e mirë. Për shumë arsye, por unë s’dua të flas personalisht për njerëzit që përfaqësojnë ato lista. Është mendimi dhe zgjedhja e tyre dhe s’mund të hyj dot këtu. Për pjesën e partive politike më duken më shumë parti populiste që flasin për gjëra të pamundura, edhe premtimet që bëjnë më duken më shumë se i kanë thjesht me fjalë, se kur hyn në kalkulime për të parë se çfarë mund të arrihet, këto parti përfundojnë si parti që s’japin më zgjidhje dhe dështojnë.
Për mua, njerëzit që mund të votojnë ato parti, votojnë në drejtimin e gabuar për atë çka ka nevojë Shqipëria sot. Edhe atë që kanë ngritur si anti establishment, që jemi kundër Partisë Socialiste, kundër Partisë Demokratike, duket se të gjitha lëvizjet e tyre tregojnë që duan thjesht të marrin karrigen e tyre. Kam një koleg në parlament, Dash Sulën dhe e keni ndjekur se si evoloi. Nëse do të ishte anti establishment s’mundet që këto parti të ftojnë një deputet aktual që ka qenë anëtar i Partisë Demokratike dhe në pjesën drejtuese të politikës shqiptare.
Anti establishment është figura të reja, njerëz të rinj, programe të reja, të flasësh me këmbë në tokë e për mua, me këmbë në tokë është vetëm programi ynë për hir të së vërtetës”,-tha Pendavinji.

Duke u ndalur tek objektivat zgjedhorë, Pendavinji deklaroi se Partia Socialiste synon të fitojë 7 mandate në qarkun e Korçës. Një objektiv i paprekur më parë, por që këtë herë ai beson se është i arritshëm, për shkak të mbështetjes masive që ka parë në të gjitha bashkitë e juglindjes, nga Kolonja në Pustec, nga Devolli në Pogradec.
“Ne kemi vendosur një objektiv, si të gjitha partitë. Por, mua më duket se është më afër realitetit, edhe nga takimet që kam patur me njerëzit, edhe çfarë kontaktoj, dhe mbështetjen që na japin të gjithë banorët e qarkut. Unë kam qenë në këtë periudhë 2 javore në Kolonjë, duke vazhduar në Pustec, Devoll, Korçë, Maliq e Pogradec dhe shoh që ka një mbështetje masive për Partinë Socialiste. Dua të them këtu që objektivi ynë është 7 mandate për Partinë Socialiste në qarkun e Korçës. Është një numër shumë i madh, asnjëherë se kemi arritur por këtë radhë besoj se do t’ja dalim”,-u shpreh Pendavinji.
Pendavinji u ndal edhe në sloganin e tij personal për këtë fushatë: “Një dorë për njerëzit”, një dorë për ekonominë, shëndetësinë, bujqësinë dhe turizmin. Sipas tij, ky është një mesazh i qartë për përkushtimin ndaj qytetarëve, të cilëve u ka qëndruar afër jo vetëm në ditë të vështira, por edhe në gëzime.
“Unë kam vënë një slogan të vogël aty, “Një dorë për njerëzit“. Në fakt, gjatë gjithë jetës time kam punuar me njerëzit, jam gjendur afër tyre gjithmonë, në problematika, shqetësime, por edhe në gëzime. “Një dorë për njerëzit” është një dorë për ekonominë, një dorë për shëndetësinë, një dorë për bujqësinë, një dorë për turizmin.
Ne u jemi gjendur gjithmonë njerëzve dhe takimet që kemi bërë me njërëzit na japin bindjen që kjo dorë që ne u shtrijmë do të na kthehet me vota për Partinë Socialiste”,-tha Pendavinji.
Me një karrierë të gjatë si mjek dhe më pas si politikan, Ilirian Pendavinji vjen në këto zgjedhje me përvojën e dy dekadave në shërbim të qytetarëve. Me fokus te zhvillimi i qëndrueshëm i Korçës dhe përfaqësim dinjitoz në Parlament, ai kërkon sërish besimin e qytetarëve për të vijuar angazhimin në Kuvend, nën moton “Një dorë për njerëzit”.


