Në fshatin Plasë të bashkisë Maliq është duke përfunduar puna për rehabilitimin e pritave malore dhe ngritjen e veprave të tjera të artit në pjesën e sipërme të fshatit. Kjo ndërhyrje vjen pas përmbytjeve të një viti më parë kur i gjithë përroi sëbashku me pritat u shkatërrua për shkak të prurjeve të ujit dhe inerteve.
Për këtë arsye përmes një financimi nga buxheti i shtetit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile mendohet të ndalohet përfundimisht rënia e inerteve nga shpati i malit në drejtim të qendrës së banuar.
Përveç ndërhyrjes në 4 pritat malore, si dhe betonimit të të gjithë gjatësisë së përroit, do të ndërhyhet edhe për rikonstruksionin e rrugës në krah të përroit, çka do të ndihmojë edhe banorët të cilët kanë banesat në këtë zonë.