Korça njihet për serenatat e bukura, të kënduara me mjeshtëri nga korçarët, si pjesë e traditës dhe kulturës së këtij qyteti. Të pakta kanë qenë vajzat të cilat kanë përqafuar këtë lloj zhanri muzikor, e një ndër to është Jorgjeta Lalazi.
Jorgjeta vjen nga një familje e njohur korçare, ku pjesa më e madhe e tyre kanë kënduar serenata dhe kanë luajtur vegla të ndryshme muzikore. E normalisht, trashëgiminë e serenatës e ka patur nga babai i saj.
Jorgjeta tregon si nisi rrugëtimi i gjatë në muzikë, ndërsa veçon një fakt shumë interesant për veten kur ka qenë fëmije.
“Serenatat korçare kanë qenë brez pas brezi, të bukura, të dhimbshme, po aq melankolike sic e kemi ne korçarët. Trashëgiminë për serenatat ne e kemi patur nga babai. Si pjesë e parë e familjes time ka qenë mjekësia, më pas i hymë muzikës si hobi, pavarësisht se është e lindur, nga mandolinatat, violinat, fyelli, kitarat po ashtu s’kanë munguar në shtëpinë tonë, edhe zërat e bukur të familjes time. Atje ishte një kor, deri diku kishim atë kulturë dhe ndjesinë e koreve ruse të paarritshme. Unë kam kënduar që e vogël, nuk më zinte gjumi natën sepse doja kitarën e babait, doja gjithë veglat t’i dëgjonte veshi im dhe kur ka rënë tërmeti në 1960, ne u shkëputëm nga shtëpia dhe shkuam te kushëriri i babait tim, doktor Taqi Skëndi, ai kishte një piano në shtëpi. Një radhë po qaja dhe mamaja u thotë që Jorgjeta fle me muzikë. Gruaja e doktorit qeshi, ngrihet dhe i bie pianos me melodi të bukur, dhe mua më zuri gjumi.”
“Notën 10 e kisha vetëm në muzikë”, – shprehet duke qeshur Jorgjeta. Ajo nuk le pa përmendur profesorët e nderuar që kanë kontribuar në përgatitjen artistike të këngëtares.
Ndër kujtimet më të bukura, ajo tregon disa nga çmimet e fituara, duke nxjerrë në pah edhe vitet në të cilat ka bashkëpunuar me artistë të njohur korçarë në skenat e Korçës dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
“Në klasë të parë unë kam marrë pjesë në festivalin e pionerëve, notën 10 e kisha vetëm në muzikë. Profesorët e mi që nuk do t’i harroj kurrë, Tasi Poda, Ilo Evro, Jorgaq Nano, etj. Atje kemi kënduar që në klasë të parë e deri në klasë të shtatë me një shoqen time se më pas ajo u largua nga Korça. Pas klasës së tetë çdo vit merrnim çmime në Shkodër, e për një kohë të shkurtër shkova tek shkolla e muzikës por u shkëputa. I rikthehem sërish muzikës duke shkuar në filarmoninë e Korçës, ndërsa muzika në shtëpinë tonë nuk ka rreshtur. Bëmë një recital me Lindita Theodhorin, ku dirigjenti, udhëheqësi artistik Ardian Jorgji asnjëherë nuk na ka shkëputur nga aktivitetet e tij. Unë kam qenë dhe aktore e teatrit të kukullave, jo shumë e mirë por e mirë për atë që isha, e zotëroj shumë bukur kukullën prej druri duke i dhënë jetë. Në shtëpinë tonë janë luajtur edhe shumë vegla nga kushërinjtë e mi, Edmond Lalazi, Gjergji Lalazi, Ksena Lalazi që ka kënduar bashkë me motrat e mia. Edhe shokët e babait mblidheshin e shkëmbenim zërat e bukur, kush e dinte një strofë apo një tjetër, bashkohej kënga dhe bëhej origjinali.
Kam fituar çmimin e dytë në festivalin e pionerëve me Astrit Koçibellin me këngën që na bëri Mihallaq Andrea, duke i qenë mirënjohëse për këngët e bukura që ka bërë dhe vazhdon të bëjë akoma.”
Serenata për Jorgjetën është jetë! Pas shumë viteve karriere, ajo kërkon të realizojë një koncert vetëm për publikun korçar, në mënyrë që të dëgjohen zërat e bukur të serenatistëve. Një ide që ka lindur prej disa kohësh dhe me shumë bindje, Jorgjeta shprehet se do ta realizojë.
“Unë gjithmonë në çdo frazë, në çdo rrjesht të këngës së serenatës, bëj klip me veten time. Ka fjalë me dhimbje brenda dhe aty futet edhe jeta ime pak. Dua t’i jap humor, t’i bëj këngët siç janë. Nuk këndoj vetëm serenatën e vjetër korçare, por edhe këngë të reja. Kam edhe disa rezerva të tjera që nuk i kam publikuar, mendoj të bëj për publikun korçar një koncert, dhe jo të vijnë me lek por të vijnë të dëgjojnë zërat tanë të bukur. Kur ngrihem që këndoj, pranë artistëve të lindur, them me vete “o zot ku jam, unw jam me kwta artiste?” I falenderoj nga zemra që më ndihmojnë në çdo çast sepse ka dhe momente që vjen ndonjë kollë.”
Jorgjeta sot është pjesë e një grupi muzikor, që çdo fundjavë luajnë pranë Hanit të Pazarit, dhe gjen rastin të flasë për pjesëtarët e tjerë të bandës, duke treguar lidhjen e veçantë që ka me secilin prej tyre, në veglat muzikore dhe në zërat e mrekullueshëm që kur bëhen bashkë, krijojnë atmosferë fantastike për këdo që i dëgjon.
“Më tërhoqi dashuria dhe zërat e bukur të këtyre artistëve. Jam shumë e kënaqur sepse nuk u lodha pas tyre, janë djem që kanë mbaruar shkollën e muzikës. Do ta nis me Zhani Strugën, mjeshtër i madh, Xhuljo Morava që këndon dhe i bie violinës, fizarmonikës, të gjitha veglave, dhe më bën edhe zërin e parë e të dytë, jemi plastelinë bashkë. Më pas është Kristi Sherko, një djalë shumë i talentuar dhe profesor në shkollën e muzikës. Marrim edhe ndonjëherë Niko Racin, një zë i mrekullueshëm i Korit Lira, Gjergji Terezin, po ashtu shtyllë e korit Lira, një bariton i paarritshëm. Theofan Velko, mbase i padëgjuar pak, por është serenatist i vjetër por na jep humor e na gëzon shpirtin. Po ashtu dhe të gjithë që vijnë këtu, ka një energji, një aktrim që nuk di ta shpjegoj. Edhë Gjergji Terezi, duke qenë shoku i vëllait tim, dhe kanë kënduar bashkë. Kemi kënduar me shumë grupe por mbështetje kam patur nga shoku im i jetës Kristaq Fermanis, dhe pavarësisht moshës më mbështet që të vazhdoj të këndoj.”
Duke qenë pjesë e performancave live pranë Hanit të Pazarit, e pyesim Jorgjetën lidhur me përshtypjet që kanë turistët kur dëgjojnë serenatat.
Ajo thotë se serenata është arsyeja që turistët vijnë në Korçë. Me lot në sy, Jorgjeta tregon rastet kur sheh pjesëtarët e tjerë të bandës të djersitur e të lodhur, por që kurrë nuk rreshtin së kënduari.
“Turistët gjithmonë na kërkojnë këngë serenate, mundohem të këndoj të huaja por nuk i pëlqejnë. Duan këngë qytetare nga të gjitha trevat, Tirana, Elbasani, Durrësi, duke dalë te arbëreshët dhe kosovarët. Interpretim shumë të bukur bën Xhuljo me këngët kosovare, me dialektin e tyre është një kryevepër. Turistët janë shumë të kënaqur, ata vendosin notë tek recepsioni, gjithmonë 10-ta marrim. Pjesëtarët e bandit janë si fëmijët e mi, kur ata djersijnë gjatë punës mua më vjen keq, ua fshij djersën se bëjnë të pamundurën dhe nuk di si t’i falenderoj. Por Zoti t’iu japë shëndet dhe pasardhësit e tyre të dalin si ata.”
Jorgjeta Lalazi ka një amanet për të gjithë familjarët dhe miqtë e saj, duke premtuar se kurrë nuk do të heqë dorë nga serenata.
“Asnjëherë nuk do heq dorë nga serenata. Do ta le amanet. Dua të këndohet kënga e trëndafilit dhe Sofatin që e kanë shkruar perlat e Korçës, ndërsa me këngët e reja dua këngën “Këtu s’do të jem”. Unë nuk dua lotë, por dua që të këndojë kitara mbi varrin tim. Nuk heq dorë asnjëherë, sa më shumë këndoj aq shumë më vjen zëri.”
Jorgjeta së bashku me grupin e saj performojnë çdo të premte e të shtunën mbrëma, në restorantin e Hanit të Pazarit.
Korça, një qytet kulture e traditash të veçanta, ka fatin të ketë në historinë e saj ndër vite, artistë të njohur, jo vetëm për këngët e serenatës, por edhe në fushat e tjera.
Marrë nga CNA