Në Bibliotekën “Skënder Luarasi” në Ersekë u zhvillua konferenca përmbyllëse në kuadër të projektit “Vlerësimi i njohurive lokale tradicionale etnobotanike në Bashkinë e Kolonjës – kontribut për ruajtjen e diversitetit biokulturor dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, një bashkëpunim midis Universitetit “Fan S. Noli”, Qendrës së Florës dhe Faunës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe Bashkisë Kolonjë, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor.
Në aktivitet morën pjesë studiues, pedagogë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe banorë të zonës.
Gjatë konferencës u prezantuan gjetjet e projektit nga drejtuesi i tij, prof. dr. Robert Damo, i cili vuri theksin në rëndësinë që ka ky projekt për studimet e mëtejshme në këtë fushë ndërdisiplinore, si për studiuesit dhe kërkuesit shkencorë, ashtu edhe për komunitetin lokal, i cili ka qenë i përfshirë dhe i angazhuar drejtpërdrejt në të.
Në konferencë u mbajtën disa kumtesa që trajtonin përdorimet etnobotanike të bimëve në zonë, vlerësimin paraprak të bimësisë në rajonin e Korçës, si dhe vlerësime etnobotanike të bimësisë në zona të tjera. Ndërkohë, disa prej kumtesave u fokusuan në biodiversitetin kulturor të zonës, si nga pikëpamja teorike, ashtu edhe përmes analizave të antropologjisë gjuhësore të lidhura me botën bimore.
Pjesëmarrësit vlerësuan se, krahas rëndësisë shkencore dhe kulturore, këto njohuri përfaqësojnë edhe një pasuri të çmuar gjuhësore, pasi ruajnë terma, emërtime dhe shprehje që janë pjesë e identitetit lokal. Dokumentimi i tyre konsiderohet një hap i rëndësishëm për ruajtjen e kësaj trashëgimie dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.
Rezultatet e projektit, bashkëpunimi aktiv i Bashkisë Kolonjë dhe komunitetit lokal, si dhe risitë e prezantuara në kumtesa, u vlerësuan si një nismë që forcon lidhjet mes kërkimit shkencor dhe komunitetit, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë natyrore e kulturore të zonës.


