Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka publikuar informacion mbi disa raste që kanë çuar në ndalime, procedime penale dhe arrestime, të ndodhura në Pogradec, Korçë dhe zonat përreth.
Në Pogradec, u ndalua shtetasi J. M., 52 vjeç, pasi nga verifikimet e bëra nga IMT-ja dhe Policia rezultoi se kishte kryer punime ndërtimi pa leje në zonën e Volorekës.
Po në Pogradec, nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 26 vjeç, i dyshuar si pjesëmarrës në një konflikt mes disa shtetasve, i ndodhur më 18 korrik.
Ndërkohë, janë referuar materiale në Prokurori për vlerësim, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi N. M., 51 vjeç, banues në fshatin Rrëmenj, me detyrë kryetar i fesë Islame, i cili pretendon se është kundërshtuar verbalisht nga disa shtetas për shkak të zgjedhjes së imamit të ri.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin G. D., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Gjithashtu, nisën procedimet penale për:
- M. H., 62 vjeç, nga fshati Vërdovë, i cili drejtonte motomjetin pa leje drejtimi dhe humbi kontrollin, duke dalë nga rruga. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
- R. D., 25 vjeç, nga fshati Vloçisht, për një aksident me përfshirjen e tre automjeteve. Si pasojë, u dëmtua E. A., 25 vjeç, nga fshati Gurishtë, i cili po merr ndihmë mjekësore.
Në Korçë, referuan materialet për një ngjarje aksidentale ku shtetasi I. H., 84 vjeç, u rrëzua në banesë për shkak të problemeve shëndetësore dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Po në Korçë, shtetasi N. T., 46 vjeç, kallëzoi se gjatë natës i është thyer dera e lokalit që zotëron në lagjen nr. 9, nga persona të paidentifikuar. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


