Një tjetër vepër e çmuar e artit ikonografik shqiptar i ka shpëtuar dëmtimit falë ndërhyrjes së Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Pas një pune intensive që zgjati 10 muaj, restauratorët përfunduan me sukses rikthimin në jetë të ikonës “Joan Pagëzori”, e realizuar në vitin 1860.
E veçanta e kësaj ikone qëndron në faktin se, krahas figurës së Joan Pagëzorit, brenda kompozimit është pikturuar në miniaturë edhe skena e lindjes së tij, duke e bërë veprën të rrallë dhe të ndryshme nga ikonat tradicionale që paraqesin këtë shenjt.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, sqaroi se restaurimi ishte një proces i gjatë dhe delikat, për shkak të gjendjes së rënduar të ikonës. “Ikona kishte dëmtime të shumta në të gjithë komponentët. Suporti prej druri ishte shumë i dëmtuar, kishte rënie të konsiderueshme të shtresës së gruntit dhe të pikturës, si dhe gufime në shtresat përgatitore dhe të pikturës. Verniku ishte i oksiduar dhe me depozitime mbi të,” u shpreh Prifti.
Identifikimi i vitit të realizimit, 1860, u bë pikërisht gjatë procesit të restaurimit, duke shtuar edhe më shumë vlerën historike të veprës. Restaurimi i ikonës “Joan Pagëzori” konsiderohet një tjetër sukses i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë ikonografike shqiptare.


