Krahina e Oparit në qarkun e Korçës po përballet me një braktisje masive, ku nga më shumë se 6 mijë banorë që numëronte dikur, sot kanë mbetur më pak se 500 të tillë në më shumë se 16 fshatra. Shkak kryesor për këtë shpopullim mbetet mungesa e plotë e rrugës së asfaltuar dhe e shërbimeve bazë mjekësore, çka ka izoluar tërësisht zonën dhe ka detyruar familjet të shpërngulen.
Izolimi infrastrukturor dhe thirrja e banorëve
Banorët e mbetur deklarojnë se kjo krahinë është e vetmja në rrethin e Korçës ku nuk është investuar asnjë metër asfalt, me gjithë premtimet e shumta ndër vite. Ata theksojnë se një ndërhyrje në infrastrukturë do të mundësonte rikthimin e shumë familjeve të larguara që kërkojnë të rindërtojnë shtëpitë e tyre.
“E vetmja zonë në Korçë që nuk ka asnjë metër asfalt. Premtime ka pasur sa të duash. Dikur kishte 6000 banorë, sot më pak se 500. Po u bë asfalti këtu, për një vit janë mjeshtra të gdhendin, duan të kthehen”, është shprehur një nga banorët e zonës.
Sipas tyre, krahina ka dhënë kontribut të rëndësishëm në historinë e vendit, ndërsa sot mbetet e harruar nga institucionet. “Çfarë ka bërë Opari për Shqipërinë, nuk ka bërë shteti për Oparin. Unë kam gjysmën e shpirtit këtu, aty janë prindërit e mi. Shteti i ka mundësitë. Kudo ka bërë investime. E vetmja zonë ku nuk është vënë dorë është zona e Oparit. Njerëzit thonë: nuk shkojmë dot se nuk ka rrugë”, ka vijuar ai.
Mungesa e shërbimit mjekësor dhe aksi prej 9 kilometrash
Përveç mungesës së rrugës, komuniteti përballet edhe me mungesë të shërbimit mjekësor, gjë që e bën jetesën veçanërisht të vështirë për të moshuarit gjatë stinës së dimrit. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente në aksin prej 9 kilometrash nga Voskopoja deri në zonën e tyre, përpara se krahina të humbasë tërësisht popullsinë dhe trashëgiminë e saj historike e kulturore.
Një tjetër banor ka theksuar gjendjen e vështirë duke u shprehur: “Kanë 130 familje në fshat. Ikën, rrugë s’ka, dimër, pleq. S’ka mjek, s’ka rrugë. E tërë zona pa një mjek, pa një rrugë. Të vdesin këtu? Të braktisura. Nuk ka qeveri, nuk ka shtet. Të vendosë dorën, nga Voskopojë deri këtu, 9 kilometra”.


