Sa në skenën e operas, në atë të festivaleve, të lounge-ve të natës apo ambienteve të dasmave. Është e pamundur që Aurel Thellimin të mos e gjesh në këto mjedise, duke emocionuar po njëlloj. Pavarësisht nëse është një baladë dashurie, një këngë për çiftin e sapomartuar, një vepër operistike madhështore, ai di të jetë në secilën prej tyre Aureli i vërtetë, origjinal, kumbues, festiv dhe i ndjeshëm. “Kur gjërat bëhen me dashuri, asnjë gjë nuk është e vështirë”, thotë ai. Aureli ka lindur me dashurinë për muzikën, duke u shpërfaqur që atëherë kur ndoshta ende nuk e kuptonte mirë se çfarë ajo ishte.
Në moshën 4-vjeçare u shpall këngëtari dhe vallëtari më i mirë në konkurset e kopshteve të qytetit të Korçës. Teksa shoqëronte motrën e tij, një vit më vonë, u pikas nga mësuesit e Shtëpisë së Pionerëve, e në të njëjtën kohë mori pjesë në operan Liceistët në Korçë. Në vitin 1988 fitoi çmimin e dytë në Festivalin Kombëtar për fëmijë në Shkodër, e në 1999 fitoi të njëjtin çmim në Ankara të Turqisë, ku përfaqësoi Shqipërinë me Shirli Polenën. Pas mbarimit të Liceut Artistik vijoi Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë e në vitin 2000 u bë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit. Ka qenë i pari që ka kënduar një musical në Shqipëri, “West Side Story”.
Prej 24 vitesh është pjesë e TKOB, si dhe ka krijuar band-in e tij, duke bashkëpunuar me këngëtaret Anxhela Peristeri, Era Rusi e Blerina Braka. Ndër vite ka marrë pjesë në organizime të ndryshme: në Festivalin e RTSH-së, në Top Fest, Netët e Klipit Shqiptar apo Kënga Magjike, ku në 2017 mori çmimin “Metropol” me këngën “E diel”, të cilën e cilëson një nga baladat më profesionale.
“Muzika e lehtë ishte pasioni, dashuria ime”, shprehet ai, teksa kujton kontaktin e parë kur ishte në klasën e parë dhe dëgjoi këngën e Ermira Babaliut “Harroje, harroje”, në teatrin “Andon Z. Çajupi”. “Më ka mbetur në mendje. Për mua mbetet një nga këngët më të bukura korçare”, tregon më tej.
Në shumicën e këngëve, tekstet i shkruan vetë. Njëjtë ka ndodhur edhe me këngën “Nënë”, e cila ka ardhur pas një momenti të vështirë emocional. “Njeriu kalon moment të bukura dhe të vështira në jetë, por mungesa e prindërve mendoj që për çdo qenie është shumë e vështirë”, thotë ai. Pas një karriere të gjatë, ka shumë për të thënë, por në këtë intervistë do të zbulojmë pak më tepër mbi Aurel Thellimin, mbi pasionet, familjen dhe momentet më të veçanta në jetën e tij.

Keni pasur fatin të provoni skena të ndryshme që fëmijë. Cili publik ju ka dhënë më shumë emocione?
Kam bërë kryevepra dhe kam kënduar përkrah në opera me emrat më të mëdhenj të muzikës operistike. Në “Peshkatarët e perlave”, kam kënduar përkrah Inva Mulës në rolin e Nurabadit, një rol shumë specifik, sepse duhet të kishte një potencial shumë të madh për të depërtuar. Në atë momente opera ka qenë në rikonstruksion dhe të katërta shfaqjet i kemi zhvilluar në Pallatin e Kongreseve. Një audiencë shumë e madhe. Po ndryshe nga koncertet apo mbrëmjet e muzikës live, shfaqja ishte e mikrofonuar dhe mendoj se ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe sepse këndoja me divën e muzikës operisitke, e cila ishte edhe regjisore. Ndiheshesha shumë i vlerësuar duke ditur që audienca e muzikës operistike është shumë kritike. Aty ka qenë sadisfaksioni im më i madh. Pas çdo batute apo akti merrja komplimente, duartrokitje dhe komente të ndryshme në mesazh.
Keni një punë të ngjeshur, me orare të stërzgjatura e udhëtime jashtë Shqipërisë. Nga ana tjetër jeni bashkëshort dhe baba i nja djali 16-vjeçar. Si i ruani ekuilibrat mes familjes dhe muzikës?
Elda, gruaja ime është këngëtare, e cila gjithashtu punon në TKOB. Kemi qenë shokë klase dhe jemi sot bashkëpunëtorë në jetë e bashkëpunëtor në mendime. Mund të them që është pjesa më e rëndësishme e suksesit tim sepse duke ia aderuar asaj vështirësitë e familjes, duke qenë ajo pjesa më e rëndësishme në familje, unë kam pasur mundësinë që t’i japë vetes prioritete duke lëvizur brenda e jashtë Shqipërisë, duke bërë koncerte të ndryshme. Djali është një nxënës shumë i mirë në gjimnaz. Mendosj se shkencat ekzakte janë të preferuarat e tij, por zbulimi i përjetshëm i tij, që ne nuk e kemi ushqyer dhe që në fund vendosëm ta përkrahim, është futbolli. Është një futbollist i talentuar. Mendoj se do t’i zhvillojë të dyja paralelisht. Me ndihmë e Zotit dhe mundësive, sepse jeta varet nga mudësitë, do të bëjmë më të mirën.
Jeni i kënaqur me veten? Mund të thuhet se jeni i realizuar me arritjet apo keni ende brenda vetes ambicie të tjera?
Për të qenë i vërtetë, jam shumë i kënaqur sepse gjithçka e kam arritur mbështetur në vetëvlerësim dhe luhatjet emocionale që kam pasur në momente të ndryshme. Ndihem mirë që kam bërë hapa galopant. Vij nga dy prindër të thjeshtë, nga një qytet i vogël. Të investosh në art ka një kosto marramendëse, sepse sot të bësh një këngë i kalon kufijtë e të ardhurave mesatare. Kështu që mendoj se kam arritur atë që doja. Gjithmonë kam pasur Zotin mbështetje, sepse e kam filluar karrierën duke qenë dikushi dhe përsëri vlerësoj që brenda meje jam një njeri që kam disa vlera të caktuara. Kur vlerësohesh me çmime, me oferta pune, apo si këngëtar i ditës më të lumtur të jetës së shumë njerëzve, që unë kam qenë prej 9-10 vitesh, do të thotë se ndihem i vlerësuar. Jam një komponent që respektohem dhe vlerësohem si nga ana emocionale ashtu edhe materiale. Çdo gjë bëhet monotone, por gjithmonë i jap vetes mundësinë që ta kthej në risi. I tillë është artisti, gjithmonë varet nga emocionet. Jam munduar që çdo gjë ta kthej në emocion pozitiv.

Përtej muzikës, çfarë pasionesh të tjera keni?
Statusi mbetet brenda profesionit, i cili merr një kohë të caktuar, por e ekuilibruar me kohën tjetër, unë jam një njeri që jetoj me të përditshmen time. Sot njeriu është i lirë të zgjedhë miqtë dhe bashkëpunëtorët, të zgjedhë vendet ku do të performojë, por edhe vendet ku do të argëtohet. I krijoj vetes mundësi. Luaj futboll me shokët e mi të punës. Nuk di të luaj fare, por luaj. Atë moment e kthej në argëtim sepse duke harxhuar energjitë i krijojmë vetes hapësira për ta kënaqur. Jeta është mendim dhe unë gjithmonë kujdesem që t’i kthej në momente të bukura. E kthej gjithçka në mendime pozitiv, duke shmangur bisedat apo rrethana të caktuara, zgjedh më të bukurën për në jetë më të bukur.
Ju keni një karrierë të gjatë të nisur pas viteve ’90. A është tregu muzikor i njëjtë dhe çfarë problematikash ka sot kjo fushë?
Në vite të caktuara tregu orientohej nga artistët. Sot artisti orientohet nga tregu. Të risjellësh muzikën shqiptare dhe të bësh këngë të reja është shumë e vështirë, për të depërtuar përnjëherësh, sidomos tani në kohën e teknologjisë, sepse dihet që marrëdhënia e drejtpërdrejtë që ke ti me audiencën janë rrjetet sociale. Ajo varet nga ndjesitë, sepse njerëzit kanë shije të ndryshme dhe pëlqejën muzikë të ndryshme. Për mendimin tim ka vend për të gjitha. Ne nuk jemi mbajtur si ndonjë vend i traditës së mirëfilltë të muzikës së lehtë, por jemi shumë më të avancuar te folklori shiptar. Muzika jonë popullore është shumë e zhvilluar, nga jugu në veri, është shumë e pasur. Edhe sikur shumë pak njerëz të të pëlqejnë kjo është një arritje. Ne kemi eksploruar dhe kemi parë që muzika dhe ritmet tona janë një adrenalinë shpirtërore.

Cila është gjëja që e vlerësoni më shumë në jetë, të cilën ua këshilloni edhe të tjerëve?
Çdo vlerë individuale i përket qenies, por vlera masive jemi ne që të bazuar në mentalitetin shqiptar, të bazuar në traditën tonë shqiptare, duhet të jemi më korrektë e më të kujdesshëm në marrëdhënie me fjalën. Fjala është ajo që vret më shumë se gjithçka, kështu që do të doja që gjithkush të thotë fjalë të ëmbla. Edhe në momente të caktuara kur i shikojmë gjërat negativisht, është më mirë të mos flasim fare sesa të themi fjalën e gabuar. Ky është mesazhi im në këtë intervistë: Të jetojmë duke thënë fjalë të ëmbla dhe të bukura. Jeta është e caktuar nga Zoti, nuk zgjidhet nga ne, kështu që për sa kohë kjo jetë ka një fillim dhe mbarin do të doja që të gjithë ta shijojnë dhe të thonë fjalë të mira. Marrëdhënia krijohet në zgjedhje individuale dhe ti zgjedh të jesh i mirë, ose të mos flasësh fare.